‘Pellazgët’ organizojnë “Festa e Plisit të Bardhë”, Kasami i nderuar të marr pjesë

Shoqata për shkencë dhe kulturë “Pellazgët” ka organizuar “Festën e Plisit të Bardhë”, festë kjo në nder të kapelës tradicionale që kanë bartur shqiptarët ndër shekuj.
I pranishëm në këtë manifestim ka qenë edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i cili është shprehur se është i nderuar që ka marrë pjesë dhe se manifestime të tilla në ngritje të vetëdijes për kulturën dhe traditën tonë janë të mirëpritura.
“Plisi është kapelja autoktone që i ka përcjellë shqiptarët që nga kohët pellazgo-ilire e gjerë në ditët tona. Plisi është simbol kombëtar i shqiptarëve, një traditë e ruajtur me fanatizëm edhe nga shqiptarët e Tetovës dhe më gjerë.
Krahas traditës, Plisi tek shqiptarët gjatë periudhës komuniste u bë edhe një formë e identitetit, e patriotizmit dhe e krenarisë që shihej me sy shumë kritik nga pushteti i atëhershëm, mirëpo burrat që mbanin Plisin nuk hiqnin dorë nga kjo traditë për asnjë çmim.
Sa më shumë që rritej presioni ndaj atyre, aq më tepër rritej numri i njerëzve që mbanin Plis, duke filluar nga të rinjtë e deri tek më të moshuarit. Njerëzit sot, pavarësisht ambienteve të caktuara, niveleve të caktuara, “mburren me plisin, mburren me veshjen tonë kombëtare, me kulturën tonë, pra me origjinalitetin që ne e kemi” është shprehur Kasami.
Kryetari i Tetovës ka përgëzuar organizatorët për këtë manifestim madhështor dhe për këtë përkujtim të Plisit duke e përcjellë edhe tek gjeneratat e reja.