Abazoviq: Raportet me Ramën i kam vëllazërore, me Vuçiqin shumë të mira-Kurtin e çmoj shumë

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka folur për marrëdhëniet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, atë të Shqipërisë, Edi Rama, dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Abazoviq tha në Opinion se ka marrëdhënie të mira me Vuçiqin, të cilat janë kryesisht kolegiale.

“Shumë të mira, raportet e mia me Vuçiq janë shumë të mira, janë kolegiale, të gjitha ato që fliten se Vuçiq se ka pasur dorë në grushtin e shtetit ose involvimin e qeverisë të re apo diçka tjetër për mua nuk janë reale. Ai është president në shtetin e vet, ne kemi shtetin tonë sovran, i cili ka politikën e vet.

Atë çfarë unë mundohem të bëj edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama edhe me atë të Kosovës, edhe me të Kroacisë, Plenkoviq, edhe me kryeministrin e Bosnjes, edhe me Kovačevskin, i cili është jashtëzakonisht bashkëpunues. Është për të pasur një marrëdhënie e cila është jo vetëm politike, por edhe personale, njerëzore sepse është një komponent shumë i rëndësishëm në Ballkan”.

Ai tutje tha se Kurtin e çmon shumë.

“Unë mendoj se ne shkojmë mirë, ndoshta disa pyetje i shohim ndryshe, ndoshta atë të Ballkanit të Hapur e shohim ndryshe, por ajo nuk është gjë restrektive prej anës time, si unë për të pasur një mendim më të lartë apo të ulët për një person. Unë e çmoj shumë Albin Kurtin dhe e ka treguar se është parimtar në çdo aspekt ashtu siç jam edhe vet krenar që e ka prejardhjen prej Ulqini. I uroj çdo sukses në udhëheqjen e tij në Kosovë”.

Ndërkohë për Ramën, Abazoviq tha: “Marrëdhëniet me Ramën janë shumë miqësore, vëllazërore, janë raporte specifike, personalisht kam qejf personat që mund të flasin për tema shumë serioze, por kur vjen momenti kanë qejf të bëjnë pak humor relaksojnë situatën. Mua këta persona shumë më konvenojnë, mendoj se edhe vetë jam ashtu”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *