Ligjet dhe zakonet në Katar që duhet të respektohen gjatë Botërorit

Mbi një milion sportdashës do të shkojnë në Katar për Kupën e Botës në muajt nëntor dhe dhjetor, një spektakël që zakonisht i kthen vendet pritëse në një festë pa ndalesë. Por këtë vit mund të jetë më ndryshe. Vendi i vogël konservator mysliman mund të tregojë pak tolerancë për huliganizmin e nxitur nga alkooli që është shpalosur në turnetë e kaluar. Katari është përpjekur ta portretizojë veten si mikpritës për të huajt, por vlerat tradicionale myslimane mbeten të forta në emiratin e sunduar në mënyrë të trashëguar. Sistemi gjyqësor i Katarit, i bazuar në një interpretim të ligjit islam, ose Sheriatit, ka tërhequr kritika perëndimore për tendencën e tij për të favorizuar prokurorët dhe policinë. Vendi autokratik thotë se do të “zbusë ligjet” për shkak të fluksit të turistëve. Por tifozët që marrin pjesë në Kupën e Botës duhet të jenë të vetëdijshëm për ligjet dhe zakonet kulturore të Katarit, duke përfshirë politikat për alkoolin, drogën dhe kodin e veshjes, informon koha.net.

Alkooli

Alkooli shërbehet vetëm në restorantet dhe baret e hoteleve që kanë licencë në Katar. Është e paligjshme ta konsumosh diku tjetër. Banorët që nuk i takojnë përkatësisë myslimane në Doha, të cilët kanë licencë për pije, megjithatë, mund të pinë në shtëpi. Në Kupën e Botës tifozët do të lejohen të blejnë birrën “Budweiser” brenda komplekseve të stadiumit – edhe pse jo në tribuna – para dhe pas ndeshjeve. Tifozët mund të pinë edhe në mbrëmje në një “zonë tifozësh” të caktuar në qendër të Dohas. Në përgjithësi në Katar dehja publike dënohet me gjoba të mëdha dhe me burgim. Por kreu i operacioneve të sigurisë të Katarit ka thënë se gjatë turneut, policia do të mbyllë një sy për shumicën e shkeljeve, por mund të bëjë arrestime nëse dikush futet në një përleshje në gjendje të dehur ose dëmton pronën publike. Mosha e ligjshme e pirjes është 21 vjeç dhe gënjeshtarëve në bare shpesh u kërkohet pasaporta në hyrje.

Drogat

Katari është një nga vendet më kufizuese në botë kur bëhet fjalë për drogën, duke ndaluar kanabisin dhe madje edhe medikamentet pa recetë si narkotikët, qetësuesit dhe amfetaminat. Shitja, trafikimi dhe mbajtja e drogave të paligjshme mund të çojë në dënime të rënda, duke përfshirë dënime me burgim afatgjatë të ndjekur nga dëbimi prej shtetit dhe gjoba të rënda. Akuzat për kontrabandën e drogës mund të kenë dënim edhe me vdekje. Tifozët e Kupës së Botës duhet të jenë të vetëdijshëm për këto ligje kur mbërrijnë në aeroportin ndërkombëtar “Hamad”, ku autoritetet skanojnë çantat dhe pasagjerët me teknologjinë e re të sigurisë dhe do të arrestojnë të gjithë ata që mbajnë edhe sasinë më të vogël të drogës.

Kodi i veshjes

Faqja e turizmit të Qeverisë së Katarit u bën thirrje burrave dhe grave që të “tregojnë respekt për kulturën lokale duke shmangur ekspozimin e tepërt të veshjeve në publik”. Ajo u kërkon vizitorëve të mbulojnë shpatullat dhe gjunjët. Ata me pantallona të shkurtra dhe pa mëngë mund të largohen nga ndërtesat qeveritare dhe nga qendrat tregtare. Gratë që vizitojnë xhamitë në qytet do të marrin shalle për të mbuluar kokën. Është një histori tjetër në hotelet, ku rrobat e banjës janë të zakonshme në pishinat e hoteleve.

Ofendimet

Ngritja e gishtit të mesit ose sharjet, veçanërisht kur tifozët mund të kenë punë me policinë ose autoritete të tjera, mund të çojë në arrestim. Shumica e rasteve penale në Katar që kapin të huajt e pakujdesshëm përfshijnë vepra të tilla. Shumë gra dhe burra nga Katari nuk do të shtrëngojnë duart me gjininë e kundërt. Filmimi dhe fotografimi i njerëzve pa pëlqimin e tyre, si dhe fotografimi i vendeve të ndjeshme ushtarake ose fetare, mund të rezultojë në ndjekje penale. Është gjithashtu e rëndësishme që turistët kur ecin të kenë kujdes për diskutimet rreth fesë dhe politikës me vendësit. Fyerja e familjes mbretërore mund t’i çojë në burg. Pak nga banorët e Katarit ka të ngjarë të mirëpresin kritikat ndaj sistemit të tyre të qeverisjes nga një turist. Përhapja e lajmeve të rreme dhe dëmtimi i interesave të vendit janë një krim serioz dhe i përcaktuar në mënyrë të paqartë, kështu që është më mirë që të gjithë tifozët të largohen nga komentet nëpër mediat sociale për Katarin.

© KOHA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *