Në 10 ditët e ardhshme, çmimi i ushqimeve duhet të ulet nga 5 deri në 12%

Nëse tregtarët nuk ulin çmimet e produkteve ushqimore në dhjetë ditët e ardhshme, qytetarët duhet t’i denoncojnë në Inspektoratin Shtetëror të Tregut. Nga Ministria e Ekonomisë thonë se buka, brumërat, qumështi dhe produktet e qumështit, mishi, vezët duhet të shiten për 5 deri në 12% më lirë.

Kompanitë e industrisë ushqimore nga sot kanë lidhur marrëveshje me EMV për shfrytëzimin e energjisë elektrike më të lirë. Këtë privilegj do ta kenë rreth 1000 kompani, nga të cilat gati 600 janë furra buke.

“Pritet që në tre deri në katër ditët në vijim të ketë ulje të çmimeve të qumështit dhe produkteve të qumështit dhe deri në fund të javës së ardhshme ulje të çmimeve të produkteve të mishit”, njoftojnë nga Ministria e Ekonomisë.

Përveç çmimeve të ushqimeve, autoritetet sigurojnë se janë stabilizuar edhe çmimet e druve dhe peletit. Tregtarët nuk mund të shesin dru për ngrohje më shumë se 4.500 denarë për metër kub. Sa i përket peletit, çmimi është i kufizuar në 270 denarë për kilogram. Obligimi për uljen e çmimeve të ushqimeve vjen pas ofrimit të energjisë elektrike më të lirë për sektorin ushqimor nga shteti. Deri në fund të prillit, këto kompani do të paguajnë 80 euro për megavat orë, ose dy herë më lirë se çmimi që do të jetë në bursa nga ku e kanë blerë deri më tani. /Alsat.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *