Shkolla në Zhelinë nuk ka ngrohje, ASH: Nxënësit, mësim në kushte të rënda (video)

Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar drejtuesit e shkollës fillore “Luigj Gurakuqi” ne Zhelinë për mungesë të ngrohjes në këtë shkollë që prej një muaji. ASH, ka apeluar organet kompetente që urgjentisht të sigurojnë ngrohje për fëmijët e shkollës “Luigj Gurakuqi” në këto ditë të ftohta me qëllim që, edhe këta nxënës dhe arsimtarët e tyre, të kenë mundësi që të zhvillojnë si duhet procesin edukativo-arsimor.

“Që nga fillimi i sezonit të ngrohjes, nxënësit vazhdojnë të mësojnë në klasa të ftohta. Ditëve të fundit gjendja po bëhet edhe më e rëndë për shkak të shkurtimit të ditës, ku si pasojë orët e para të ndërrimit të paradites dhe orët e fundit të ndërrimit të pasdites po bëhen të papërballueshme. Kjo që po ndodh rrezikon grupmoshat më të ndjeshme dhe duhet të paraqesë alarm urgjent për të gjithë”, tha Denis Aliti, ASH dega Zhelinë.

Ka reaguar edhe drejtori i shkollës Liman Xhaferi. Ai thotë se shkolla është e furnizuar me lëndë djegëse por për shkak të motit të mirë nuk e kanë lëshuar ngrohjen.

“Shkolla qendrore është e furnizuar me naftë ndërsa dy shkollat territorial janë të furnizuara me peleta. Për momentin kemi instruksione nga Ministria që të kursejmë energji ndërsa kur do shohim që ka nevojë atëherë do i ndezim koftorët. Ndoshta në mëngjes është pak ftohtë megjithatë e shihni si është kohë dhe është e panevojshme të ndizen”, u shpreh Liman Xhaferi – drejtor i Sh. F. “Luigj Gurakuqi”.

Ndryshe, në Pollog shumica e shkollave vazhdojnë të mos i ndezin ngrohjet qendrore me arsyetimin se kursejnë për shkak të çmimit të lartë të rrymës dhe lëndëve djegëse.

/Gazetar: Bashkim Sulejmani-Alsat.mk/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *