Kasami: Do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur. Unë nuk do ta tradhtoj besimin tuaj! (video)

0

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami gjatë një konference për shtyp ka paraqitur të arriturat e tij në krye të Komunës.

Kasami theksoi se gjatë një viti është bërë shumë punë nëpër të gjithë sektorët e komunës dhe jashtë saj.
Gjithashtu Kasami si të arritur prezentoi edhe rritjen e pagave të punonjësve të Zjarrëfikësve në 8000 denarë, ai theksoi se gjatë kohës së kaluar zjarrëfikësit kanë qenë të shkelur dhe të harruar nga udhëheqësia e kaluar ndërsa tani ata kanë mbështetjen e Komunës së Tetovës në misionin fisnik që bëjnë.

Më tej Kasami vazhdoj edhe rreth rritjes së pagave të administratës komunale, ku sipas tij administratorët meritojnë paga më të mira andaj edhe përkushtimi i tij ka qenë që të ju siguroj kushte më më të mira!

Në vazhdim fjalimi i plotë i kreut të Komunës-Bilall Kasamit.

Një vit bashkë për një Tetovë më të mirë – borxhet e kthyera, projekte të reja!
Të nderuar bashkëqytetarë,
Të nderuar të pranishëm,
Një vit më parë, kur mora mbështetjen tuaj për të qenë kryetar i Komunës së Tetovës, u përballa me një sfidë të madhe dhe të vështirë – të drejtoj njërën nga komunat me më shumë borxhe në vend, me një mori problemesh të pazgjidhura nga ish udhëheqësia.

Por, koha prej kur ne udhëheqim është dëshmi se një komunë mund të drejtohet ndryshe, se qyteti mund të zhvillohet dhe të përparojë. Me punë e këmbëngulje të sinqertë dhe të përkushtuar, rezultatet janë të dukshme.
Me gjithë vështirësitë dhe presionet me të cilat përballemi, si dhe me borxhin e trashëguar miliona eurosh, ne arritëm të trasojmë me sukses rrugën që synojmë – një qytet modern që zhvillohet dhe bëhet një vend më i mirë për të jetuar për të gjithë.

Gjatë kësaj kohe ne kemi arritur që të shlyejmë një pjesë të borxhit, dhe në të njëjtën kohë kemi realizuar edhe projekte të reja!
Shlyerja e borxhit ishte ndër prioritetet tona kryesore. Të kthejmë një pjesë të borxhit, të zhbllokojmë komunën dhe të realizojmë projekte. Kështu ne arritëm të shlyejmë mbi 3 milionë euro borxh të trashëguar, por në të njëjtën kohë kemi vazhduar me intensitet të shtuar me realizimin e projekteve infrastrukturore.
Gjatë këtij viti ne punuam intensivisht për përmirësimin e infrastrukturës. Vizituam çdo lagje dhe filluam punën – rindërtuam rrugët, sanuam çdo dëmtim të infrastrukturës rrugore, siguruam më shumë vende parkimi, liruam hapësirën publike të uzurpuar.

Tani qyteti po ndryshon fytyrë, përfunduam plotësisht projektin për rrugën “Strasho Pinxhur”, e cila tashmë duket si edhe e meriton një qytet urban, me kanalizim të ri atmosferik dhe fekale, trotuare të reja, gjelbërim, ndriçim. Rikonstruim i plotë është bërë edhe në rrugën “Sami Frashëri”, me asfalt të ri, ujëra të zeza atmosferike dhe fekale tërësisht të reja dhe ndriçim të ri.
Kemi kryer të gjitha punimet ndërtimore në rrugët “194”, “161”, “141”, si dhe rrugët “Jane Sandanski” dhe “Dimo Gavrosvski Kara”. Zona përreth varrezave ortodokse, ku prej vitesh kishte deponi të egër, më në fund e rregulluam siç edhe duhet të duket ajo pjesë e qytetit. Nuk ka më grumbuj mbeturinash, shtruam rrugën, siguruam hapësira parkimi të shënuara siç duhet, e ndriçuam atë pjesë.

Gjithashtu rregulluam edhe zonën rekreative tek Banjat e Qytetit, vendosëm pajisje të reja urbane, ndriçim, rregulluam vendparkingjet, poashtu rregulluam edhe një park për fëmijët.
Aktualisht po punohet për projekte të tjera, rikonstruksion rrugësh, mbushje gropash, vendosje të reja të sinjalistikës horizontale dhe vertikale të komunikacionit.
Kemi vendosur shtylla përgjatë trotuareve për të mos penguar lëvizjen e lirë dhe të sigurt të qytetarëve. Poashtu kemi realizuar aksione për lirimin e hapësirës publike të uzurpuar prej kohësh, aksion ky që po gjen mbështetje të madhe te qytetarët të cilët tashmë kanë nisur vetë të lirojnë hapësirat publike.

Administrata jonë ka arritur që në afat rekord të përfundojë gati të gjithë procesin e legalizimeve të cilat ishin të lëna pasdore dhe zvarriteshin nëpër sirtarë të ndryshën për plot tetë vite.
Gjetëm 3268 lëndë të pa procesuara me vite të tëra, ku për një afat prej gjashtë muajsh pregaditëm 1334 përfundime, 235 pëlqime urbanistike, 212 aktvendime, 349 të cilët duhet të mer vendim këshilli, 311 lëndë në process të ankimimit duke u shqyrtuar nga jursitët, 379 të realizuara në kadastër dhe një numër të madh të lëndëve u është kryer tereni.
Njësia për realizim të planeve urbanistike për një vit ka dhënë 155 leje ku janë të përfshyera ndërtim, mbindërtim, shtesë, rikonstruim, adaptim dhe ridestinim.

Gjithashtu ka filluar faza përgaditore për ndryshimin dhe zgjerim të planit general urbanistik.
Vlen të theksohet se njësia e ekspropejimit në vetëm 20 ditë ka realizuar punë që për gjashtë vjet e kishin lënë pas dore dhe nuk e kanë bërë. Bëhet fjalë për proces ekspropejimi që ndërlidhet me projektin e kolektorit si dhe stacionit të filtrimit për ujërat e zeza për Tetovën dhe fshatrat Xhepëisht, Poroj, Reçicë e Madhe, Reçicë e Vogël dhe Falishtë, projekt ky që kap vlerën mbi 30 milion euro.
Gjatë kësaj periudhe të shkurt kohoreu përfundua mbi 2000 lëndë dhe u dorëzuan te njësia për çështje pronësore juridike pranë ministrisë së Financave për t’i njoftuar palët.

Jemi duke punuar seriozisht për të zgjidhur problemet e mbetjeve komunale në qytet. Projekti për deponinë rajonale të Rusinos po ecën sipas planit. Kemi pastruar deponitë e egra përreth qytetit, të krijuara shumë vite më parë.
Realizuam me sukses aksionin për Pastrim Gjeneral të qytetit, pjesë e të cilit ishim bashkë me 20 komuna të tjera, gjatë të cilit u mblodhën mbi 185 ton mbetje. Siguruam 100 kontenjer donacion nga komuna e Konjës, në moment të fundit arritëm që të mos humbasim projektin e pesëmbëdhjetë kontenjerëve gjysëm nëntoksorë dhe dy kamionëve të siguruara nga Banka Botërore.

Pavarësisht situatës së vështirë në të cilën ndodhet NKP-ja, ekipet janë çdo ditë në terren duke rregulluar gjelbërimin dhe duke u kujdesur për pastërtinë në qytet.
Si një nga sektorët më të rëndësishëm, këtu ne planifikojmë zgjidhje afatshkurtra dhe afatgjata për të pasur më në fund një shërbim efikas dhe funksional.
Për një vit arritëm të riorganizojmë NP “Parkingu i Qytetit”, të cilën e gjetëm në kaos dhe me borxhe, dhe sot e njëjta të funksionojë pa probleme dhe pa llogari të bllokuar. Ne kemi siguruar më shumë se 500 vende të reja parkimi, nëpërmjet ndërtimit të parkingjeve të hapura dhe të mbyllura. Ne po zgjidhim problemin e kaosit në trafik dhe tashmë kemi më shumë rregull në rrugë.

Gjatë qeverisjes sonë në qytet filloi edhe transporti publik, i cili është një zgjedhje më ekonomike për transportin e qytetarëve tanë dhe gjithashtu kontribuon në uljen e ndotjes.
Jemi ndër komunat e para që iu qasëm seriozisht zgjidhjes së problemit të qenve endacak. Për këtë përgatitëm projekt për kapjen dhe trajtimin e këtyre qenve të cilin e ka fituar shoqata “Amos Shelter”. Deri më tani janë kryer aksionet e para për kapjen dhe trajtimin e qenve endacak. Në të ardhmen do të vazhdojmë edhe më tej me këtë projekt, i cili si qëllim ka zgjidhjen e këtij problemi disa dekadash.
Ne i kemi stimuluar punonjësit tanë që duhet t’ju shërbejnë qytetarëve. Së pari, ua rritëm pagat zjarrfikësve, të cilët më parë nuk vlerësoheshin dhe respektoheshin fare. Përveç rritjes së pagave, zjarrfikësit tashmë kanë edhe kushte më të mira pune, hapësira të rikonstruara, pajisje të reja dhe organizim të trajnimeve të ndryshme në përballje me fatkeqësitë. Për këtë njësi siguruam dy fuoristradа të reja speciale, fituam edhe edhe një donacion të shkallëve lëvizëse në vlerë prej mbi 50 mijë euro. Hapëm qendrën e fitnesit, e cila tani më po shfrytëzohet nga zjarrfikësit tanë.

Rritje pagash ka pasur edhe administrata publike. Bëmë edhe një sistematizim të vendeve të punës. Nuk ka më punëtorë që ri në shtëpi dhe merr pagë nga komuna, gjithashtu ne kemi vendosur edhe orar fleksibël të punës. Administrata duhet të punojë në mënyrë produktive dhe në të mirë të qytetarëve, të cilët vetë e konfirmojnë këtë përmes rritjes së përqindjes së arkëtimit të detyrimeve ndaj komunës.
Ne vazhdimisht investojmë në aktivitete arsimore, kulturore dhe sportive.
Transparenca dhe llogaridhënia është imperativi ynë. Takimet me qytetarë mbahen çdo muaj, kemi mundësuar monitorimin online të seancave të Këshillit, kemi bërë publike çdo kontratë në vepër. Ne punojmë në mënyrë transparente dhe me fytyrë të pastër, gjë që rezultoi që komuna e Tetovës të ngjitet në krye të listës për transparencë aktive në rajonin e Pollogut, me një rritje deri në 72%.

Të dashur tetovarë,
Edhe unë jam një nga ju, problemet tuaja janë gjithashtu edhe problem për mua, me të cilët së bashku do të përballemi. Ju premtoj se do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur, për ta kthyer Tetovën në rrugën e duhur, për ta bërë atë një vend modern dhe më të mirë për të jetuar për të gjithë ne. Besoj fort se na presin vite të zhvillimit dhe përparimit të Tetovës sonë! Unë nuk do ta tradhtoj besimin tuaj!
Ju Faleminderit,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *