Le Temps: Ushtarët rusë sulmojnë krerët e tyre

Në një letër që dyshohet se i është dërguar guvernatorit të rajonit rus nga vija e frontit, anëtarët e Brigadës së 155-të Detare të Flotës Ruse të Paqësorit thonë se ai i shtyu ata në një “betejë të pakuptimtë” në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore.

Çfarë ndodhi në të vërtetë të shtunën në Pavlivka në rajonin Donetsk të Ukrainës, i cili është pjesërisht i pushtuar nga Rusia?

Kësaj pyetje u përpoq t’i përgjigjet Louis Lema, kolumnist i gazetës zvicerane Le Temps, i cili theksoi që në fillim se një polemikë e paprecedentë shpërtheu midis autoriteteve ushtarake ruse dhe analistëve të njohur ushtarakë rusë në lidhje me atë që u përshkrua si ” masakra” e një njësie elitare ushtarake ruse. Rreth 300 ushtarë, ndër më të trajnuarit në ushtri, u dërguan në vdekje nga komandantët e tyre në një përpjekje për të fituar njohjen nga Kremlini, thuhet në raport.

Anëtarët e Brigadës 155 kritikuan ashpër komandantin e lartë rus në një konfrontim të rrallë, duke akuzuar autoritetet se “fshehin” numrin e viktimave “nga frika e përgjegjësisë”.

Në letër thuhet se katër ditë luftime në Pavlivka shkaktuan humbjen e gjysmës së pajisjeve të brigadës, ndërsa 300 marinsa u vranë, u plagosën ose u zhdukën.

Ata kërkojnë një hetim të pavarur

Letra, e publikuar nga një llogari pro-ruse e lidhur me forcat mercenare të Wagner-it, tërhoqi zemërimin e analistëve rusë, opinionet e të cilëve zakonisht ndiqen nga qindra mijëra njerëz.

Në letrën e tyre, të mbijetuarit akuzojnë drejtuesit se po përpiqen të marrin medalje dhe “çmime” të tjera, përfshirë titullin më të lartë “Hero i Rusisë”.

Ata kërkuan që të bëhet një hetim i pavarur për këtë incident, me kusht që drejtuesit e lartpërmendur, madje edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Valery Gerasimov, të mos përfshihen në atë hetim.

Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi përmbajtjen e letrës dhe një zëdhënës i paidentifikuar akuzoi shërbimet e inteligjencës ukrainase se qëndronin pas saj.

Megjithatë, njoftimi i analistëve ushtarakë rusë ka rezonuar në familjet e ushtarëve të vrarë në luftime, prandaj ekziston rreziku i shpërthimit të protestave kundër luftës brenda Rusisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *