Në Maqedoni punëtorët janë të pamotivuar dhe që nuk angazhohen

Punëtorët në Maqedoni tregojnë pak përkushtim ndaj punës së tyre, tregon raporti vjetor për “Gjendjen e Fuqisë Globale”, të kompanisë Gallup. Raporti vë në dukje se punëtorët nuk i shohin vendet e punës si të rëndësishme dhe nuk kanë shpresë se gjërat do të përmirësohen në të ardhmen. V.M është e punësuar në një institucion shtetëror, të cilës entuziazmi dhe përkushtimi për punën iu zbehën kur vuri re se kolegët me të cilët punonte ishin më pak të angazhuar dhe merrnin të njëjtën pagë sikurse ajo.

“Në fillim nuk më shqetësonte asgjë, gjatë tërë ditës isha e vetmja që punoja dhe merrja përgjegjësitë edhe të kolegëve. Pas një kohe e vërejta se nuk u vlerësua, rroga mbeti e njëjtë, nuk mora ngritje në detyrë dhe asnjë motivim për punën time, në atë moment nuk u angazhova aq shumë, dhe tani të them sinqerisht thjesht përpiqem të kalojë ditën sa më lehtë dhe me më pak detyra”, thotë ajo.

Sipas hulumtimit të kompanisë Gallup angazhimi në vendin e punës matet me atë se sa të angazhuar dhe entuziastë janë punëtorët në vendet e punës. Punëdhënësit nuk janë të befasuar nga përqindja e ulët e angazhimit dhe produktivitetit të punëtorëve. Arsyet i shohin në procesin arsimor, ndërgjegjësimin etik, dhe vlerat. “Tek ne njerëzit punojnë vetëm për të punuar. As për të arritur diçka, as për të bërë ndonjë ndryshim si dhe nuk mendojnë se si të avancojnë më tej në profesion.

Një tjetër faktor kryesor në produktivitetin e ulët të tyre është edhe menaxhimi i dobët i sistemit. Punëtorët shkojnë në punë, marrin detyra, por nuk dihet cili është produktiviteti optimal, as nuk dihet se çka mund të pritet prej tyre, dihet shumë pak për shërbimin dhe sa duhet të jetë paga. Do të them një frazë që pasqyron realitetin, punëtorët tanë nuk mund të punojnë aq sa mund t’i paguajmë ne”, thotë Mile Boshkov, kryetar i Konfederatës së Punëdhënësve.

Nga vendet e rajonit Maqedonia e Veriut renditet më lart sipas përqindjes së angazhimit në vendin e punës, në rang të njëjtë me Estoninë dhe anëtarët tjerë të BE-së. Në Ballkan më pak të angazhuar janë punëtorët në Serbi, ndërsa Mali i Zi dhe Bullgaria janë diku në mes. Ekziston një perceptim publik se angazhimi më i ulët është karakteristikë e punonjësve të administratës publike.

 

Nga SPOGJ nuk pajtohen me mendimin se të gjithë administratorët janë pak produktiv. Kryetari i kësaj sindikate Trpe Deanoski sqaron se vlerësimet e brendshme në sektore të caktuara tregojnë se administratorët e kryejnë mirë punën e tyre. “Në ligjeslacionin tonë ka mjaftë dispozita të mira që vlerësojnë performancën e punonjësve. Punëdhënësit kanë dënime shumë të mëdha që mund t’i ndjekin nëse punonjësi nuk përmbush detyrat. Kur t’i shihni raportet do të shihni se administrata në sektorin publik ka nota mjaftë të larta, që do të thotë se punëtorët i kryejnë detyrat e tyre mjaftë me ndërgjegje dhe efikasitet”, potencon Deanoski.

Ai gjithashtu tha se vlerësime bëhen dy herë në vit nga organet drejtuese të emëruara drejtpërdrejtë, në bazë të cilave ka dënime dhe shpërblime të duhura. M.K pronar i disa kompanive në vend dhe jashtë vendit, vuri re dallime në sjellje të punëtorëve këtu dhe jashtë vendit. “Për ne, kjo është mënyra si ne i shohim gjërat. Punëtorët duan të punojnë sa më pak dhe të marrin paga sa më të larta, dhe shefi dëshiron të paguajë sa më pak të jetë e mundur ndërsa të përdorë sa më shumë fuqinë punëtore.

Duke mos e parë pamjen më të gjerë, le të përfitojnë të dyja palët. Nuk duhet të shihet vetëm se sa janë rritur të ardhurat e mia, por edhe atë se sa është i shëndetshëm dhe i pasur mjedisi im”, thotë ai. Nga SPOGJ pajtohen se arsye më të shpeshta për angazhimin e ulët të punëtorëve janë motivimi i pamjaftueshëm dhe mungesa e trajnimit të punëtorëve në administratë. Këtu shtohen edhe kushtet e punës pasi siç thuhet nuk janë të njëjta si ato evropiane. “Motivimi, gjegjësisht pagat e ulëta, kushtet e punës dhe zakonisht detyrat e pamjaftueshme të punës janë arsyet për angazhimin e ulët.

Nuk kemi trajnim cilësor për punëtorët, legjislacionet vazhdimisht ndryshojnë, sisteme të reja të punës futen, por fatkeqësisht punëtorët nuk kanë trajnim adekuat tash e 6-7 vite”, deklaroi Deanoski. Edhe nga Banka Botërore thonë se produktiviteti në Maqedoni është i ulët dhe se pritet që në të ardhmen të bjerë akoma më shumë. (koha.mk)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *