Vuçiq pas takimit me Kurtin: Na presin netë pa gjumë

0

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për media pas takimit të gjatë në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Deklaratat e tij nuk ishin aspak të këndshme.

Vuçiq ka thënë se priten ditë të vështira e “netë pa gjumë”. Ai ka shtuar se nuk është arritur asnjë marrëveshje.

“Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur absolutisht asnjë marrëveshje”, tha Vuçiq pas bisedimeve disaorëshe, të hënën në Bruksel.

“Do të kemi netë pa gjumë dhe ditë shumë të vështira përpara.” – vazhdoi më tej ai. “Sot ishte e qartë për të gjithë se kush ishte konstruktiv dhe kush po përpiqet për paqe stabilitet,” – vazhdoi më tej ai.

“Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë tragjedi, por natyrisht, nuk do të jetë një periudhë e lehtë”, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia “do t’i qëndrojë pranë popullit serb” në Kosovë.

Ai tregoi edhe për propozimet që i morën nga Brukseli zyrtar.
“Do t’i dëgjojmë këshillat dhe kërkesat e përfaqësuesit të Lartë [evropian], Borrell. Ai ka kërkuar që ata [zyrtarët kosovarë] të mos shqiptojnë gjoba, që ne mos të lëshojmë targa të reja KM – për ç’gjë ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër,” – tha presidenti serb ndërsa paralajmëroi se këtë javë do t’i drejtohet publikut serb.

Deri tash nuk ka folur kryeministri i vendit Albin Kurti por as kryediplomati evropian Josep Borrell. Madje, ky i fundit ka thënë se do të flas pas përfundimit të takimit.

Ende nuk është e qartë nëse takimi që nisi në orën 10:15 të ditës së sotme ka marrë fund zyrtarisht.

Presidenti serb Vuçiq ishte pa shumë disponim edhe gjatë ditës së djeshme para medieve serbe para se të nisej për Bruksel.

Ai kishte thënë mes tjerash se “serbët e kanë kuptuar që nuk ka marrëveshje me atë njeri!”

Në anën tjetër, kryeministri i vendit Albin Kurti kishte thënë që përmes tensioneve në veri të vendit, Vuçiqi po provonte ta maskonte refuzimin që po i bënte Planit Franko-Gjerman. Vetë Kurti e ka komentuar si “me bazë të shëndoshë” planin në fjalë, ani pse ka thënë se kishte “shumë mangësi”.

Nuk dihet ndërkohë nëse faza e qortimeve ndaj serbëve me targa ilegale do të nis prej sonte në orën 00:00 apo ka ndonjë shtyrje tjetër. Ajo që dihet është se Vetëvendosje i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të shtyjë afatin për çertifikimin e partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *