Bekteshi: 9 milion euro investim dhe 300 vende të reja pune nga kompania gjermane në Tetovë

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi së bashku me kryeministrin Kovaçevski, zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi dhe kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti kanë marrë pjesë në prezentimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për investimin e ri të kompanisë gjermane KIEL në zonën e lirë ekonomike të Tetovës, informon “tetova1”.
“Investimi i kompanisë KIEL po dëshmon që përpjekjet tona që po i bëjmë si Qeveri për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe sigurimin e klimës më të mirë të biznesit për kompanitë po e japin rezultatin e vet dhe kjo kompani pritet të investojë afër 9 milion euro dhe të krijohen 300 vende të reja pune”, ka shkruar Bekteshi.
Shton se , investitorët e huaj dallojnë në Maqedoninë e Veriut një partner të sigurt dhe mundësi për realizim afatgjatë të planeve të tyre, edhe përkundër krizës së kovidit, dhe krahas krizës energjetike që e përfshiu gjithë Evropën.
“Kjo do të paraqesë zhvillim të ekonomisë lokale, si dhe përmirësim të standartit të qytetarëve.Dua të përgëzoj menaxhmentin e Kiel Maqedonia që janë vizionarë në planet e tyre për rritje, dhe që në Qeverinë shikojnë partnerin për realizimin e investimeve të tyre”, njofton Bekteshi.