Pollogu më i diskriminuari për nga Zonat e Lira Ekonomike

Sipas një raporti të ri nga Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi i titulluar “Ndikimi i Zonave të Zhvillimit Industrial dhe Teknologjik në zhvillimin rajonal”, investimet e huaja në zonat e lira ekonomike (ZLE), në vend se të nxisin zhvillimin të të gjitha rajoneve, ato vetëm se kanë thelluar hendekun zhvillimor rajonal.

Rajoni lindor, i cili është rajoni i pestë më i pasur sipas kriterit të PBB për kokë banori, i prinë listës së investimeve me 338 euro investime për kokë banori (9.2% e totalit), pasuar nga Pellagonia, rajoni i katërt më i pasur, me 270 euro investime për kokë banori (10.1% e totalit), dhe Shkupi, dukshëm rajoni më i pasur, me 252 euro investime për kokë banori, apo 51.4% e vlerës totale të investimeve, përcjell INA.

Pollogu, rajoni më i varfër në vend me PBB prej 2,264 euro për kokë banori, është më i varfri edhe me investime, me 41 euro të investuara për kokë banori, apo 2.4% e investimeve totale. Në Pollog, ZLE-të kanë kontribuar në krijimin e vetëm 29 vendeve të reja pune për 10,000 banorë, krahasuar për shembull me Rajonin Lindor, ku janë krijuar 130 vendeve të reja pune për 10,000 banorë.

Në Rajonin Verilindor, i dyti më i varfër në vend me PBB prej 2,863.83 euro për kokë banori dhe ku bëjnë pjesë Kumanova dhe Likova, nuk ka asnjë investim të huaj në ZLE.

 

Arben Fetai, drejtor i IPP Arbën Xhaferi, tha se “ZLE-të kanë potencialin për t’u bërë instrument i dobishëm për të rritur nivelin e harmonizimit zhvillimor ndërmjet rajoneve të Maqedonisë së Veriut. Por për këtë nevojitet vullnet politik shumë më serioz në rritjen e investimeve strategjike në nivelin rajonal, me synim të nxitjes së zhvillimit të barabartë ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës në rajonet me papunësinë më të lartë dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës së gjithë qytetarëve.”

Raporti bazohet në të dhënat e Agjencisë për investime te huaja dhe promovim të eksportit për investimet në ZLE në periudhën 2015-2021, të siguara nga IPP Arbën Xhaferi përmes ligjit për qasje në informacione me karakter publik.

Investimet totale në ZLE kapin shumën prej 597.9 milionë euro në periudhën 2015-2021. Kompanitë amerikanë i prijnë listës me 219.5 milionë euro investime (apo 36.91% e investimeve totale), pasuar nga ato gjermane me 155.3 milionë (26.11%), italiane me 56.2 milionë (9.45%), britanike me 39.9 milionë (6.7%) dhe kineze me 39.5 milionë euro (apo 6.7% e totalit).

Gjatë periudhës në fjalë, Ministria e Eknomisë është udhëhequr në vazhdimësi nga kuadro shqiptare: Valon Saraçini, Driton Kuçi dhe Kreshnik Bekteshi nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

SHIKO PASQYRËN E PLOTË duke klikuar KËTU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *