Çmimet nuk ulen, qytetarët të revoltuar: Vetëm po na gënjejnë!

6 ditë pas paralajmërimit të Qeverisë se do të ketë ulje të çmimeve të produkteve bazë ushqimore, nëpër dyqanet nuk është vërejtur korrigjim i tyre, gjegjësisht janë të njëjta siç kanë qenë edhe para paralajmërimit për lirim. Pasi vizituam disa dyqane, pamë se nuk është ulur çmimi i bukës, i miellit, as i sheqerit, vajit, kurse edhe mishi vazhdon të shitet me çmim të njëjtë. Këtë e konfirmojnë edhe vetë qytetarët.

-Nuk është liruar asgjë, as buka, as vaji, as sheqeri. Nuk është ulur çmimi i asnjë produkti. Kjo është e tmerrshme, nuk durohet kjo. Nuk e di deri ku do të arrijmë kështu…
-Jo, çfarë lirimi? Gjithçka është gënjeshtër. S’ka lidhje. Çmimet janë të njëjta.

-Nuk është ulur asgjë, ama pse po gënjejnë? E kjo nuk është e gjitha, as nuk mund t’i shohësh çmimet, të gjitha janë të përziera…
-Nuk është liruar asgjë?
-Jo, asgjë, ja e patë edhe ju.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, siguronte se kompanitë që përdorin energji të subvencionuar elektrike, nga 1 dhjetori do të duhet t’i ulin çmimet për 10% edhe këtë ta bëjnë gradualisht, pasi siç shpjegoi, një pjesë e madhe produktesh tashmë janë në raftet e dyqaneve. Paralajmëroi edhe kontrolle inspektuese.

“Pres që nesër të gjithë ata prodhues, të gjitha ato produkte që janë të cekura në vendimin e Qeverisë në pjesën për ngrirjen e marzheve, të shënojnë ulje prej të paktën 10% . Tashmë te vaji i gatimit kemi një ulje të caktuar. Nesër pritet lirim shtesë në pjesën e bukës dhe produkteve të mishit dhe kështu do të vazhdojë lirimi i çmimeve të produkteve të tjera. Qytetarët lirisht mund të denoncojnë në Inspektoratin Shtetëror të Tregut nëse vërejnë se çmimet nuk janë ulur apo janë keqpërdorur nga tregtarë të caktuar.”- deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Nga VMRO-DPMNE-ja dorëzuan amendament për propozim-Buxhetin i cili parasheh që deri më 30 prill të vitit të ardhshëm të ketë fundjavë pa TVSh për produktet ushqimore.

“Në këtë mënyrë qytetarët do të mund të blejnë produkte bazë ushqimore, e pastaj paratë për TVSh-në e paguar t’u kthehet në xhirollogaritë e tyre. Të ardhurat tatimore të shtetit janë tejet të larta, shkaku i inflacionit. Ushqimi është shtrenjtuar mesatarisht për 30%, ndërsa te disa produkte rritja e çmimit është edhe mbi 100%.”- pohoi Dafina Stojanovska, VMRO-DPMNE.

Nga 1 dhjetori, 235 kompani nga sektori i ushqimit filluan të furnizohen me energji të subvencionuar elektrike, por në këmbim, siç paralajmëruan nga Qeveria, kanë për obligim t’i ulin çmimet e produkteve bazë ushqimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *