Në Holandë ratifikohet rezoluta për pezullimin e liberalizimit të vizave për Serbinë

Dhoma e Përfaqësuesve në Holandë ka miratuar Rezolutën që i bën thirrje qeverisë së saj të avokojë në Bruksel për pezullimin e përkohshëm të liberalizimit të vizave për Republikën e Serbisë.
Propozimi është dorëzuar për shkak se siç theksojnë propozuesit, Serbia nuk është në harmoni në politikën e vizave dhe politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.
Sipas disa mediave, propozimi ka pasur mbështetje edhe të përfaqësuesve të Qeverisë por edhe të Opozitës.
Kërkesa në fjalë ishte paraqitur nga përfaqësuesit e dy partive më të mëdha në koalicionin qeveritar, Jeroen van Wijngaarden i Partisë Popullore për Liri e Demokraci dhe nga Sjoerd Sjoerdsma nga Demokratët 66.
Propozimi ishte inicuar nga një përfaqësues i opozitës, shkruan Jutarnji, përcjell Nacionalja.
“Dhoma e deputetëve mbështeti propozimin tonë për një qasje më të rreptë ndaj Serbisë nëse presidenti Vuçiq nuk mbështet sanksionet kundër Rusisë. Ndërprerja e procesit të pranimit të Serbisë në BE mund të jetë një opsion. Ne nuk do të hezitojmë që ta përdorim,” – tha z. Van Wijngaarden në një postim në Twitter.
Serbia edhe më herët ka marrë kritika të shumta për vendimin e saj që të mos i vendoste sanksione Rusisë për invazionin në Ukrainë.
Në ndërkohë, në një votim të fundit në Asamblenë e OKB-së, Serbia nuk kishte votuar as për dëmshpërblimet që Rusia duhej t’i paguante Ukrainës për luftën – duke përmendur mes arsyesh edhe Albin Kurtin, dhe kërkesën e tij për dëmshpërblime ndaj Serbisë në luftën e fundit në Kosovë.