Drilon Iseni: Me ndërtimin e Korridorit 8, merr hov ekonomia

Me ndërtimin e Korridorit 8, ekonomia jonë do të përshpejtohet edhe më tepër, por gjithashtu do të hapen mundësitë e reja të bashkëpunimit me vendet përkatëse, sepse vendit tonë do t’i mundësohen qasje në dy dete të cilat janë me rëndësi strategjike, vlerëson në një prononcim për Indeks.mk, Drilon Iseni, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP).

“Me ndërtimin e Korridorit 8 ekonomia jonë do të përshpejtohet edhe më tepër, por gjithashtu do të hapen mundësitë e reja të bashkëpunimit me vendet përkatëse sepse vendi ynë do të ketë qasje në dy dete të cilat janë të rëndësisë së lartë strategjike. Por gjithsesi, ajo që është shumë e rëndësishme, është se bizneset e Maqedonisë Perëndimore do të përfitojnë shumë nga ky projekt ngase do t’u mundësohet qasje në një infrastrukturë që u mundëson transport më të shpejtë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve”, deklaroi Iseni.

Ai theksoi se OEMVP deri më tani ka qenë ndër më të zëshmit për sa i përket ndërlidhjes me shtetet fqinje, sidomos me Shqipërinë dhe Republikën e Kosovës, shtete të cilat kanë një avantazh të theksuar sa i përket infrastrukturës rrugore në raport me vendin tonë.

 

“Ne duhet të kemi parasysh se infrastruktura rrugore e mirë, e gjallëron pjesën perëndimore të shtetit, e cila, për fat të keq, nuk është aq shumë e zhvilluar, e sidomos regjioni i Pollogut. Është i pamohueshëm fakti se mungesa e ndërlidhjes adekuate rrugore, por edhe infrastrukturës bazë rrugore, e zbeh çdo iniciativë afariste sidomos tek ata të cilët duan të fillojnë me biznes por me kapacitete të vogla”, theksoi Iseni.

Para dy ditësh, në Tiranë u nënshkrua “Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, për zhvillimin e projekteve infrastrukturore, sigurinë logjistike dhe efikasitetin e transportit të mallrave ndërmjet dy vendeve”.

Me atë rast, njëri nga nënshkruesit, zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, pat thënë se në pjesën e Maqedonisë së Veriut po ndërtohet autostradë me 6 korsi nga Shkupi gjer në Qafë Thanë që do zvogëlon distancën Shkup – Tiranë në 2.5 orë, Shkup – Vlorë në 3 orë.

 

“Për ta shfrytëzuar në maksimum edhe qasjen në port, po planifikojmë të nisim edhe lidhjen hekurudhore Shkup – Kërçovë – Pogradec – Durrës. Në janar, bashkojmë dy kontrollet kufitare në një të vetëm me synimin për t’i hequr përfundimisht kufijtë mes nesh dhe shpresoj që këtë të bëjmë edhe me Kosovën gjatë vitit të ardhshëm. Po ndërtojmë edhe lidhjen interkonektive energjetike midis nesh me dy projekte, trafo-stacionin në Ohër dhe lidhja e tensionit të lartë Manastir-Elbasan”, tha Grubi. (tetova1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *