Messi e zhgënjeu Maradonën derisa ishte në jetë

Messi është një lojtar i madh. Ndoshta, prej më të mirëve, në krejt historinë e futbollit. Por, jo edhe për atë që pikërisht në Argjentinë, është parë si përjetësisht i paarritshëm në këtë sport, Diego Armando Maradona.

Për më tepër, 10-shja ikonike e shtetit latinoamerikan, që ndërroi jetë dy vjet më parë, nuk e kishte konsideruar Leo Messin si një lider. Një lojtar të madh po.

Messi nuk e bindi Maradonën asnjëherë pasi kurrë nuk polli diçka me vlerë për Argjentinën, derisa Diego ishte gjallë.

Kulmi i frustrimit të të dytit më të parin ishte Botërori 2018 në Rusi. Argjentina u eleminua në të 16-n e finales nga Franca, ku mezi arriti pas vetëm 4 pikëve të tubuara në fazën grupore (kishte barazuar me Islandën, ishte turpëruar nga Kroacia 0 me 3 dhe e kishte mposhtur Nigerinë 2 me 1). Madje, edhe trenin për këtë botëror e kishte kapur tek në ndeshjen e fundit të kualifikimeve për konferedatën CONMEBOL.

 

“Nuk duhet ta shohim më Leon si një perëndi”, pati thënë Maradona për Fox Sport, përcjellë Klankosova.tv.

Ish lojtari i Napolit në Itali e akuzoi atëherë më të mirin e Barcelonës se luan mirë vetëm për këtë klub, por jo edhe për kombëtaren e tij.

“Ai është Messi vetëm kur luan për Barcelonën. Messi është Messi vetëm kur e vesh atë fanellë, ndërsa është një tjetër Messi për Argjentinën“, pati vazhduar Maradona. “Ai është një lojtar i madh, por jo një lider. Është e padobishme të tentosh ta bësh një lider nga një njeri që shkon 20 herë në toalet para ndeshjes”.

Pos nga mentori dhe idoli i tij, Messi pati marrë kritika edhe nga shumë njohës tjerë të futbollit për dështimet me kombëtaren. Në radhë të parë i ishte thënë se nuk po angazhohet si duhet, e mëpastaj, se nuk është agresiv tamam. Dhe, duke u bashkuar me Diegon, ishte “akuzuar” për mungesë lidershipi”. Madje, pakënaqësitë për të kishin shkuar deri aty saqë të mos konsiderohej si “njëri nga ata” (lojtarët e kombëtares) për shkak se ai “gati tërë jetën e ka kaluar në Barcelona dhe para se të jetë një Albicelest, është një Blaugran”. Ani se admirohej, Messi nuk pëlqehej si Maradona. Ky, thjesht, adhurohej nga argjentinasit.

 

Në Botërorin Qatar 2022, Messi ka ndryshuar. Ai nuk po shkëlqen, por po udhëheq, shkruan goal.com. Duke qenë, mbase, ylli i vetëm i madh te Argjentina, ai, fillikat, e solli këtë kombëtare deri në finale, dhe mbrëmë u takua me Kroacinë, ndaj të cilës u hakmor për humbjen turpëruese të katër vjetëve më parë në Rusi.

Eeeehhhh, sikur Maradona të mos kishte vd ekur tashti do të kishte mundësi ta shihte Messin ashtu siç e donte, duke qenë një superlojtar dhe në të njëjtën kohë, kapiten që UDHËHEQ. /Klankosova.tv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *