Memishi: Punëtorët e higjienës në Tetovë iu rikthyen vendeve të punës

Pas protestës së djeshme dhe bojkotit të punës, punëtorët e Ndërmarrjes Publike komunale, sektori i higjienës publike, janë kthyer në vendet e tyre të punës.

Janë lëshuar disa rroga dje, ndërsa pjesa tjetër pritet të lëshohet shumë shpejtë, thotë zëvendës drejtori i Ndërmarrjes.

“Pagat e tyre janë lëshuar në orën dymbëdhjetë sepse potencoi edhe kreu i komunës dje se, pagesa që bëhet nga komuna për pagat kalon përmes trezorit dhe kjo ka qenë problemi, nuk ka pasur ndonjë problem tjetër.

Në koordinim me financat dhe kreun e komunës, do bëjmë çmos që edhe pagat tjera të mbetura ti realizojmë për punëtorët. Një pjesë edhe e atyre që janë me vendime që kanë qenë pa paguar sigurimin shëndetësorë, me kohë do e rregullojmë edhe atë pra çështje javë jo muaji”, deklaroi Daut Memishi, NPK “Tetova” Tetovë.

 

Por tek punëtorët e higjienës komunale, nuk përbejnë problem vetëm vonesa e rrogave, por, edhe kushtet tejet të këqija të objektit ku ata qëndrojnë.

Për përmirësimin e këtyre kushteve, zëvendës drejtori i ndërmarrjes tha se po punojnë në drejtim të gjetjes së partnerit, me qëllim të investimit në këtë ndërmarrje, ndërsa në rast mos arritjes së marrëveshjes me partneritet publik privat, atëherë Memishi tha se ndërtimi i objektit të ri për këta punëtorë, do të bëhet nga vetë financat e komunës.

Ndryshe, në ndërmarrjen publike komunale janë të angazhuar mbi 400 punëtorë, të cilët që prej rreth një dekade, kanë problemin e rrogave, ndërsa vetë ndërmarrja, është në krizë të thellë dhe ka rreth 9 milion euro borxhe të trashëguara./Alsat.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *