Nuk ka ngrohje, filloristët e Shemshovës prej sot bojkotojnë mësimin

Mbi treqind nxënës të Shkollës Fillore të fshatit Shemshovë, nga sot bojkotojnë mësimin për shkak të mungesës së naftës për ngrohje qendrore.

“Në mbledhjen e mbrëmshme të prindërve të fshatit Shemshovë, prindërit ishin unanim që deri sa nuk ka kushte, nuk ka nxehje fëmijët nuk do të lëshohen për mbarëvajtje të mësimit. Nëse sigurohet naftë normal që do i lëshojmë fëmijët, nëse nuk sigurohet naftë ka edhe forma të tjera si do veprojmë ne si këshill i prindërve”, tha Zeqir Zeqiri, kryetar i këshillit të prindërve.

Drejtori i Shkollës “Shemshova” tha se disa herë ka kërkuar nga Komuna e Jegunocit naftë, por pa përgjigje.

“Kërkesa kam bë disa herë dhe këtë do e dëshmoj para organeve përkatëse, mirëpo nuk është përfillë nga ana e udhëheqsisë së komunës, që të hapim shpallje të re për furnizim me lëndë djegëse”, u shpreh Burhan Ejupi, drejtor i Sh.F. “Shemshova”.

 

“Kërkuam sqarim edhe nga komuna e Jegunocit për problemin në fjalë, por nuk i gjetëm në vendin e tyre të punës, as kreun e komunës dhe as përgjegjësin për arsim. Edhe tentimeve tona përmes telefonit, nuk iu përgjigjën”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar i Alsat.

Pos mungesës së naftës për ngrohje, problem tjetër janë edhe dritaret e vjetra të cilat bëjnë që edhe ku ngrohja është e lëshuar, temperatura të mos arrij nivelin e duhur. /Alsat.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *