BESA e Tearcës kritika kryetarit Neziri: avazi i vjetër vazhdon me kryetarin e ri

Lëvizja BESA – Tearcë: Kryetari aktual i komunës nuk ka realizuar asgjë që ka premtuar, avazi i vjetër po vazhdon!

Qytetarët e Komunës së Tearcës presin rezultate konkrete nga udhëheqësia e komunës, që do të thotë investime, zhvillim të ekonomisë dhe rregullimin e infrastrukturës, por kjo nuk arrihet me buxhet inflacioniste dhe prioritete të humbura.

Në fushën e të ashtuquajturave investime kapitale, BDI çdo vit mburret se vitin e ardhshëm do të bëjnë ofensivë ndërtimore. Dhe gjithmonë përfundon me shumë pak realizim të investimeve kapitale të planifikuara.

Buxhetin e vitit 2022 e kemi përkrahur pa rezervë dhe pa asnjë vërejtje duke shpresuar se kjo udhëheqësi nuk do të jetë si ajo paraprake, mirëpo edhe kjo po vazhdon me të njëjtin avaz, duke shkelë me të dy këmbët premtimet e dhëna para qytetarëve të komunës sonë. Kjo qeverisje nuk e ka ngulur as edhe një gozhdë diku, të mos flasim për projekte prioritare në dobi të qytetarëve.

Sjellja e papërgjegjshme e udhëheqësisë së BDI në Komunën e Tearcës kërcënon të shkaktojë dëme të papërmirësueshme për indin shoqëror dhe inicon spirale të mllefit tek qytetarët, të cilët edhe ashtu janë të frustruar dhe dita ditës po largohen nga ky vend.

I tillë ishte edhe miratimi i buxhetit të vitin 2023, i cili kaloi në seancën e mbajtur më 23.12.2022. Ky propozim buxhet është i njëjtë me vitin paraprak, aty nuk ka të ndryshuar as edhe një presje, pa asnjë ndryshim, duke i anashkaluar të gjitha kërkesat e qytetarëve të vendbanimeve të komunës tonë.

Prandaj, ne këshilltarët e Lëvizjes BESA nuk e kemi votuar, përshkak se kemi hetuar hilen dhe padrejtësisë që u bëhet qytetarëve. Ky buxhet është thjesht manipulim, si ai i vitit të kaluar. Andaj do të ishte e udhës që kryetari i Komunës së Tearcës, së bashku me vartësit e tij dhe këshilltarët e koalicionit qeverisës t’u thonë qytetarëve qartë dhe me zë të lartë se buxheti është vetëm për vjedhje. Dhe le ta dinë se ky mandat do të jetë i fundit për ta, pasi qytearët dinë të vlerësojnë se kush duhet t’i udhëheq. Ata kanë sy dhe vesh, ata shohin e dëgjojnë se si janë të përkushtuar udhëheqësitë e komunave ku qeveris Lëvizja BESA. Për rikujtim të opinionit publik, komuna e Tearcës vazhdon të jetë komuna më e izoluar sa i përket transparencës dhe në çdo matje ajo radhitet e fundit në Maqedoninë e Veriut.

Lëvizja BESA – Tearcë
24.12.2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *