Gratë afgane duan të arsimohen, por izolohen nga talebanët

Mësuesit dhe nxënësit në shkollën publike në perëndim të Kabulit, frikësohen se ndalimi i shkollimit për gratë nga talebanët, do të ketë ndikim të madh te vajzat që u lejohet arsimimi deri në klasën e gjashtë.
Shumë njerëz në Afganistan besojnë se çdo vajzë nga klasa e parë deri në të gjashtën nuk do të lejohet ta vazhdojë shkollimin pas pushimeve dimërore.
Në shkollë, mësuesja Maria, e cila ka mësuar nxënëset e shkollës së mesme dhe pastaj ato të klasave të gjashta, thotë se është e shqetësuar për të ardhmen e grave në Afganistan.
Ajo ka shtuar se nëse mësueset nuk lejohen nëpër shkolla, do të përballen me probleme të mëdha financiare.
“Më bën të ndihem keq, sepse gratë afgane që përbëjnë gjysmën e shoqërisë në këtë vend do të jenë analfabete në të ardhmen, dhe së dyti, nuk e di si do të vazhdojmë me jetën tonë dhe si do t’i ushqejmë familjarët”.
Zhgënjimi është parë në mesin e nxënësve të filloreve, të cilët kanë ardhur në shkollë së bashku me prindërit. Ata nuk janë të kënaqur dhe dyshojnë në të ardhmen e fëmijëve të tyre nën regjimin e talebanëve.
Hasenat, në klasën e pestë, u ka bërë thirrje talebanëve që t’i lejojnë vajzat ta vazhdojnë shkollimin.
“Duam që të arsimohemi, për talebanët të drejtat e vajzave dhe djemve nuk janë të barabarta sepse shkollat për djemtë janë të hapura, ndërkaq për vajzat po mbyllen. Përse djemve u lejohet shkollimi dhe vajzave jo? Kemi të drejta të barabarta dhe të gjithë duhet të arsimohen”.
Mësuesja Mena Nashenas thotë se mësimdhënia nuk është gjynah ashtu siç mendojnë talebanët.
“Talebanët na thonë se 11 vjetët e mësimdhënies janë gjynah. Nuk shoh asnjë fe apo kulturë që thotë se mësimdhënia, të mësuarit dhe arsimimi, janë gjynah”.
Ani pse kanë premtuar se do të kenë qeverisje më moderne, talebanët nuk janë duke i respektuar të drejtat e grave dhe të minoriteteve.
Ata kanë kthyer ligjin e Sheriatit qëkur morën pushtetin në gushtin e vitit 2021.