Në UEJL u zhvillua trajnimi për sigurinë kibernetike në institucionet qeveritare

“Ne jemi të lumtur, si Universitet, që brenda projektit, që në një vend kemi tubuar ekspertizë të gjerë nga institucione të ndryshme, si publike, ashtu edhe akademike, sektori privat, si dhe ai qytetar.
Këto institucione janë dhe gjithnjë më tepër do të jenë objekt i sulmeve potenciale kibernetike”, tha mes tjerash në fjalimin e tij, rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili falënderoi pjesëmarrësit për kontributin në këtë temë mjaft sfiduese dhe aktuale.
Në emër të Ambasadës së SHBA-ve, të pranishmëve iu drejtuar Marelene Nice, nga Zyra për Çështje Publike, e cila e theksoi mbështetjen dhe përkrahjen që SHBA-të ofrojnë në tejkalimin e sfidave kibernetike për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Universiteti i Evropës Juglindore dhe Ambasada e SHBA-ve kanë një histori të gjatë bashkëpunimi.
Atë që e kemi ndërtuar këtu si formë bashkëpunimi paraqet rastin më të mirë, posaçërisht lidhjet e krijuara mes këtij Universiteti dhe Universitetit Indiana. Po ashtu, siç jam e informuar UEJL është shtëpia e numrit më të madh të Alumnit nga universitetet amerikane të realizuara përmes programeve të këmbimit. “, tha mes tjerash Marlene Nice.
“Deri më tani shumë pak është investuar në zhvillimin e ekspertizës në sektorin e IT-së dhe sot ekspertët e këtij sektori, do të trajnohen për sfidat e sulmeve kibernetike dhe nëse ato ndodhin se si të përballen dhe të gjejnë zgjidhje”, tha prorektori për Planifikim Akademik dhe Digjitalizim, si dhe udhëheqës i projektit, Prof. Dr. Adrian Besimi.
Trajnimi u zhvillua në tre sesione pune në temat: Sfidat e qeverisë, Bashkëpunimi mes sektorëve të ndryshëm dhe Raste studimi nga kompanitë.