Trendy

“Karnavalet e Sharrit” do të mbesin në Bozovcë! Edicioni i 18-të në pikëpyetje

Para 3 orë

Edicioni i 18-të i manifestimit “Karnavalet ilire të Sharrit” këtë vit ka mbetur pa përkrahje financiare. Edhe pse formalisht figuron në faqen zyrtare të komunës së  Tetovës si pjesë e “Eventeve tradicionale dhe kulturore” nga ky institucion nuk janë ndarë fonde për mbështetjen e tij. Organizatorët nuk janë të sigurt nëse këtë herë do të kenë mundësi që manifestimin ta zbresin në Tetovë, por gjithsesi me apo mbështetje financiare do ta zhvillojnë në Bozovcë. Neshat Mehmedi, ish mësues dhe pjesë e Këshillit Organizativ që rikthyen këtë traditë të festimit të jetës pas një ndërprerje, është i shqetësuar për indiferencën me të cilën trajtohen tentativat për të ruajtur trashëgiminë kulturore.

“Në Bozovcë ne do ta organizojmë, por është e rëndësishme që të dalim dhe të defilojmë edhe në qytet, të kemi mundësi të kemi të ftuar edhe nga jashtë Maqedonisë… Por kjo është e pamundur. Mbështetjen më të madhe e kemi pasur nga afaristët vendas, organizata nga jashtë vendit. Nga komuna, apo Ministria e Kulturës, kemi marrë pak, ose aspak. Duhej të ishte e kundërta, pasi Karnavalet ilire janë pjesë e kulturës, identitetit tonë, nuk ngacmojnë as nacionalitete, as religjione, por sjellin bashkimin shpirtëror mes njerëzve”, thotë për KOHA, Mehmedi. Për këtë edicion nuk kanë as datë se kur do të zhvillohet, por as risi apo program për ditën e dytë. Kjo do të varet nga përkrahja që mund të marrin, kryesisht nga afaristët. Këshilli organizativ në vite i ka apeluar institucioneve lokale nacionale të kulturës, që të tregohen më të vëmendshëm sa i takon manifestimeve që promovojnë në formën më unike traditat dhe kulturën shqiptare.

ARSYET QË MOTIVOJNË ENTUZIASTËT NGA BOZOVCA

Ruajtja e trashëgimisë kulturore e traditave të lashta si kjo e festimit të nisjes së një jete të re dhe hyrjen në pranverë janë arsyet që motivojnë entuziastët nga Bozovca që çdo vit ta organizojnë manifestimin, qoftë edhe me pjesëmarrje modeste, apo edhe pa mbështetje financiare nga institucionet.

“Karnavalet ilire” janë zhvilluar në Bozovcë deri në vitin 1981 për t’u ndërprerë për më shumë se dy dekada. Ruajtja e traditave pagane, ashtu si dikur ishte një prej synimeve të rifillimit të kësaj tradite, që mbështetet sa në gojëdhëna të mbledhura nga më të moshuarit, po aq edhe nga materiale e tjera etnografike. Ceremonia nis me nga qendra e fshatit, aty ku tubohen të gjithë për të pleqëruar hallet, organizohen lojëra dhe pika të ndryshme muzikore, por edhe gostiten me ushqimet tradicionale. Në karnavalet e kaluara interpretimi i roleve mashkullore u zëvendësua me tre gra, përkatësisht të veshura si nuse, që prezantojmë jo vetëm traditën e veshjeve kombëtare në ditë të veçanta, por edhe atë të nusërimit, të nesërmen karnavalet bëjnë defile në qytetin e Tetovës.

VEVÇANI DHE STRUMICA, DY MODELET E KUJDESIT INSTITUCIONAL

Karnavalet e Vevçanit dhe Karnavalet e Strumicës  janë dy manifestime tradicionale që në sajë të mbështetjes financiare institucionale janë kthyer në ngjarje të mëdha kulturore çdo fillimvit. Ndërsa Karnavalet e Vevçanit (11-14 janar) organizohen nga komuniteti lokal me mbështetje institucionale, kryesisht të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe donatorëve lokalë dhe privatë, Karnavalet e Strumicës, që po zhvillohen këto ditë (21-25 shkurt) kanë si sponsor kryesor komunën, por edhe MKT dhe donatorë të tjerë.

Karnavalet e Strumicës janë mbështetur me rreth 3.7 milion denarë nga buxheti i Komunës së Strumicës, plus sponsorizime private dhe partnerë biznesi. “Dukshmëria është segmenti më i rëndësishëm për çdo ngjarje. Informacioni duhet të arrijë te çdo person në vendin tonë, dhe më gjerë. Organizimi i një ngjarjeje të tërë kërkon shumë fonde, prandaj MKT na mbështet. Do të veçoja gjithashtu të gjitha firmat dhe kompanitë me përgjegjësi sociale që kontribuojnë në mirëmbajtjen e karnavalit tonë, të cilat duhet të jenë një shembull për të gjitha firmat e tjera në vendin tonë”, thotë Tankica Stojanova, nga Këshilli Organizativ. (koha.mk)

Trending