Ndeshja e parë e fazës “Play-off” në Europa League mes Lille dhe Crvena Zvezdës është njollosur nga një episod i turpshëm i ndodhur në tribunat e stadiumit “Pierre-Mauroy”.
Një grup tifozësh të skuadrës franceze kanë shpalosur një banderolë ku shfaqej harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe mbishkrimin provokues “Jo dorëzimit” (Nema Predaje).
Ky mesazh politik, i cili përdoret rregullisht nga nacionalistët serbë, ka i ka shpëtuar kontrolleve për simbolet e ndaluara në kompeticionet e UEFA-s.
Për t’i bërë gjërat edhe më skandaloze, klubi serb i Crvena Zvezdës ka reaguar në rrjetet sociale duke falënderuar tifozët francezë për këtë gjest.
“Faleminderit-Merci! Tifozët e Lille shpalosën një banderolë me shkrimin ‘Jo dorëzim’ gjatë ndeshjes”, shkruhej në postimin e klubit nga Beogradi, duke legjitimuar kështu një provokim të hapur politik që bie ndesh me rregulloret strikte të UEFA-s.

Deri më tani, organi më i lartë i futbollit evropian nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar, ndonëse rregullorja parashikon dënime të rënda për mesazhe të kësaj natyre në stadiume.










