Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë, do të kenë mundësi deri më 28 shkurt të aplikojnë për marrjen e kartelës digjitale. Pas kësaj date, ata duhet të paguajnë për çdo udhëtim.
“NP “Tetova Transport” njofton se nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, të cilët janë përfshirë në listat e dërguara nga shkollat për pajisje me kartela digjitale, duhet të paraqiten për të tërhequr kartelat e tyre më së voni deri më 28.02.2026”, raportoi Komuna e Tetovës, duke theksuar se kjo është mundësia e fundit për të shfrytëzuar këtë të drejtë gjatë këtij viti.
Komuna paralajmëroi se në rast nxënësit nuk e tërheqin kartelën digjitale, ata do të jenë të obliguar të paguajnë biletë për çdo udhëtim.
Ndryshe, transporti publik në Tetovë nuk do të jetë falas për të gjithë qytetarët ashtu siç premtoi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami para zgjedhjeve. Pasi u rizgjodh në krye të komunës, Kasami i ndryshoi fjalët, transporti publik do të jetë pa pagesë vetëm për disa kategori të qytetarëve.
Gjatë fushatës parazgjedhore, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami premtoi transport publik falas për të gjithë qytetarët. Të njëjtin premtim ai e përsëriti edhe në daljen e tij të parë pas marrjes së mandatit.
Ndërsa më 30 dhjetor 2025 Këshilli Komunal vendosi që transporti publik të jetë falas për nxënësit, shoqatat dhe institucioneve që do të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi me Komunën e Tetovës, si dhe të gjithë qytetarët që i kanë shlyer detyrimet ndaj komunës.
Kujtojmë që mandatin e kaluar Kasami premtoi gjithashtu parking pa pagesë, por kjo nuk u realizua, parkingu ishte pa pagesë vetëm dy javë.










