Trendy

𝐓𝐞𝐭𝐨𝐯𝐚: 𝐐𝐲𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐩𝐫𝐞𝐭 𝐭ë 𝐢𝐤𝐞

Para 4 javë

Shkrim nga Agron Shaqiri
Tetova është një qytet që kujton më shumë se sa jeton. Nuk është vend, është kujtim. Kujtim i një perandorie që iku, i një bashkëjetese që s’u shkrua kurrë në ligj, por u gdhend në heshtje. Një qytet që më shumë e kanë shpikur të tjerët, sesa e kanë ndërtuar. Ajo nuk ka nevojë për histori të re, ka mjaft, e me të vjetrën që nuk di ç’të bëjë.
Rrugët janë si rrënojat e një ëndrre osmane, ku asfalti është më i ri se sa shpresat e njerëzve. Xhamitë janë më të larta se pallatet, por jo më të zhurmshme se zërat që dalin nga kafenetë, ku dita fillon me llafe dhe mbaron me ankesa. Rrallë herë me ndonjë libër. Edhe më rrallë me ndonjë ndryshim.

Të gjithë flasin për politikë, por askush s’ka kohë për politikë, sepse të gjithë janë të zënë me ikjen. Ka më shumë plane për lëvizje sesa për zhvillim, më shumë biletari sesa biblioteka, më shumë ëndrra për Gjermani sesa për Tetovë.
Tetova është një qytet ku universitetet rriten si kërpudhat pas shiut, por librat mbeten po aq të rrallë sa lexuesit. Titujt janë diplomë, jo dije. Dija është stoli, jo armë. Dhe shkolla është stacion ndalese para pasaportës.
Është qyteti ku shqiptarët dhe maqedonasit ndajnë të njëjtën frymë, por jo të njëjtën fjalë. Ku edhe heshtja është e përkthyer. Ku flamujt nuk përfaqësojnë vetëm identitete, por kufij emocionalë. Në një qytet ku gjithçka është përkufizuar, përveç së ardhmes.
Nuk është qytet për të ardhur, është qytet për t’u larguar. Dhe ata që mbesin, jetojnë me mallin e atyre që kanë ikur, duke e ndjerë mungesën e plotë si të ishte një prani. Një qytet që e sheh botën nga dritarja e një Western Union-i, ku nostalgjia ka kthyer shpinën dhe ndihmon vetëm me euro.

Një qytet që s’ka nevojë për ambasadorë, sepse çdo familje ka një përfaqësi në Evropë, Azi, Afrikë e Amerikë. Diaspora është parlamenti i vërtetë i Tetovës, ajo që vendos, ajo që ndihmon, ajo që mungon.
Tetova është një metaforë: e një kombi që e do Evropën, por nuk e lëshon Lindjen. Një qytet që ende s’e ka vendosur a është portë hyrëse apo dalje e fundit. Është pikërisht aty ku Perëndimi vonon të mbërrijë, sepse Lindja ende s’ka ikur fare. Dhe në këtë pritje të gjatë, Tetova nuk jeton — ajo vetëm pret.

Trending