Shkruan Komandant Mala – Jazhincë
Në fillimin e luftës, më 14 mars 2001, unë isha i zgjedhur koordinator i operativës në kuadër të Kompanisë së Parë të Brigadës 112 “Mujdin Aliu”.
Në këtë datë historike, në malësinë e Sharrit dhe mbi Kalanë historike të Tetovës, nisi një kapitull i ri i rezistencës shqiptare.
Një kompani e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e udhëhequr nga komandanti Ilaz Ceka – Qorri, u organizua në tre togje luftëtarësh që morën pozicionet strategjike rreth Kalasë së Tetovës.
- Togu i parë, me 14 luftëtarë, udhëhiqej nga Izair Samiu – Baci, dhe u vendos brenda Kalasë.
- Grupi i dytë, i udhëhequr nga Daut Rexhepi – Leka, mori pozicion në krahun e majtë, në vendin e quajtur Stermoll.
- Ndërsa grupi i tretë, nën drejtimin e Hasim Bajrami – Puçi, u vendos në fshatin Gajre, duke mbrojtur krahun e djathtë të Kalasë.
Po atë ditë, në fshatin Sellcë, u vendos edhe njësiti i parë i logjistikës së UÇK-së, i cili luajti një rol shumë të rëndësishëm në mbështetjen e luftës.
Rreth 30 bij të kombit shqiptar, në paraditen e 14 marsit, krisën pushkën e parë të kësaj lufte. Jehona e asaj krisme nuk u dëgjua vetëm në Tetovë, por në mbarë Maqedoninë. Në ato momente, në sheshin e qytetit të Tetovës zhvillohej edhe një protestë masive e shqiptarëve.
Përplasja e parë me forcat ushtarake dhe policore sllavo-maqedonase zgjati disa orë, por pasojat për armikun ishin të rënda. Në fushën e betejës mbetën të djegura rreth 15 automjete ushtarake dhe policore, ndër to edhe një kombi-bus. Të tronditura nga humbjet, forcat armike filluan granatimet nga distanca, duke goditur nga qyteti i Tetovës drejt Kalasë.
Luftimet e ashpra vazhduan deri vonë në mesnatë. Qëndresa e këtyre luftëtarëve bëri që shumë të rinj e të reja shqiptare t’u bashkoheshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, duke veshur uniformën për liri dhe dinjitet kombëtar.
Në agimin e 15 marsit, luftimet u intensifikuan edhe më shumë. Forcave armike u erdhën në ndihmë qindra ushtarë dhe policë nga pjesë të ndryshme të Maqedonisë. I gjithë arsenali ushtarak i shtetit u përqendrua në Tetovë me një qëllim të vetëm: marrjen e Kalasë.
Por luftëtarët shqiptarë kishin vendosur të mos dorëzoheshin. Ata ishin betuar se do të luftonin deri në fund, në emër të Flamurit Shqiptar dhe idealit të lirisë.
Në këto luftime heroike, më 15 mars 2001, ra dëshmori i parë i kësaj beteje, Servet Ferati nga fshati Llacë. Ai iu përgjigj thirrjes së lirisë dhe mbeti përjetësisht simbol i qëndresës dhe mbrojtjes së Kalasë së Tetovës. Trupi i tij u varros me nderime ushtarake nga bashkëluftëtarët e UÇK-së.
Në ditët që pasuan luftimet vazhduan me ashpërsi.
Më 17–18 mars u plagosën Izahir Samiu dhe Semi Hebibi.
Më 19–20 mars u plagos Rahim Samu.
Ndërsa më 25–26 mars, në përleshjet e ashpra në vendin e quajtur Gurri i Kuq, apo Livadhi i Begut, u plagosën edhe dy luftëtarë të tjerë dhe ranë heroikisht tre luftëtarë:
Hajredin Arifi
Zeqirija Tahiri
Fadil Rufati
Dy nga të plagosurit ishin njëri nga fshati Veshallë dhe tjetri nga fshati Sellcë.
Në kulmin e këtyre luftimeve të ashpra, na erdhi edhe një urdhër i papritur për tërheqje nga vijat e frontit.
Ky vendim ishte i vështirë për t’u pranuar nga ne luftëtarët që ishim në vijën e parë të betejës.
Edhe sot, pas 24 vitesh, kjo çështje mbetet pa një sqarim dhe pa një llogaridhënie të plotë.
Megjithatë, mbi të gjitha mbetet sakrifica dhe qëndresa e luftëtarëve shqiptarë.
Në përfundim, shprehim mirënjohjen më të thellë për të gjithë luftëtarët e kësaj lufte:
për dëshmorët, invalidët dhe veteranët, dhe në mënyrë të veçantë për familjet e dëshmorëve, të cilët sakrifikuan më të shtrenjtën për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
Lavdi dëshmorëve të kombit! 
/Tetova1/










