Trendy

15 të punësuar në Klinikën e Endokrinologjisë 3 muaj pa paga

Para 8 muaj

15 të punësuar me kontratë në vepër në Klinikën e Endokrinologjisë, mjekë, infermierë dhe të punësuar në administratë që nga muaji prill nuk kanë marrë paga. Gjatë këtyre muajve kanë punuar pa kontratë aktive. Përderisa të punësuarit presin se si do zgjidhet problemi i tyre, dhe a do t’i marrin pagat e muajve të kaluar, asnjë nga institucionet kompetente nuk merr përgjegjësi për zgjidhjen e problemit të tyre.

Drejtori aktual i Klinikës, Irfan Ahmeti tha se nuk e di nëse kërkesa për vazhdimin e kontratave, nga ana e ish drejtorit të klinikës është bërë në kohë, dhe se Ministria e Financave ka vonuar për tre muaj vazhdimin e kontratave.

“Kontratat e te punësuarve paraprakisht kane mbaruar me 31.03. 2025. Kërkesa për vazhdimin e kontratave nuk e di a është bërë në kohë, por e di se është vonuar pothuaj 3 muaj nga ana e Ministrisë së Financave. Unë sapo e morra mandatin e drejtorit, më 30.06 isha i informuar për këtë problem nga vet punëtorët se nuk kanë 3 muaj kontrate aktive. Me angazhimin tim dhe intervenimin e Ministrit aktual të shëndetësisë, pëlqimi nga Ministria e Financave erdhi pozitiv nga 02.07.2025 deri me 31.12.2025”, tha Irfan Ahmeti, Drejtor në Klinikën e Endokrinologjisë.

Taner Hasan, i cili ishte drejtor në Klinikën e Endokrinologjisë gjatë kohës kur të punësuarit kanë mbetur pa kontrata aktive dhe pa paga, tha se pavarësisht se kanë dërguar kërkesë për vazhdimin e kontratave nuk e di arsyen se pse Ministria e Financave nuk ka dhënë pëlqime.

“Kontrata e të punësuarve me kontratë në vepër ka skaduar në fund të muajit Mars 2025. Për këtë, ne nga klinika kemi dërguar kërkesë në Ministrinë e Financave për vazhdimin e pëlqimeve. Megjithatë, gjatë kohë nuk kemi pasur përgjigje(negative ose pozitive). Arsyet për këtë sinqerisht nuk i dijë. Disa herë jemi drejtuar tek Ministria e Financave, por na u thoshte se së shpejti do të marrim përgjigje. Më shumë se kjo nuk e di”, tha Taner Hassan, ish drejtor në Klinikën e Endokrinologjisë .

Ministria e Financave nuk përgjigjet se pse nuk kanë dhënë pëlqime për vazhdimin e kontratave, por thonë se të gjitha mjetet për paga janë shpërndarë në bazë të Planit Vjetor për punësim, dhe e njëjta duhet të realizohet përmes Fondit Shëndetësor.

“Në rastet kur janë siguruar fonde dhe janë parashikuar punësime të reja në Planin Vjetor të Punësimit, dorëzohet një njoftim me mendim pozitiv. Përkatësisht, Ministria e Financave përgjigjet brenda afatit të përcaktuar me ligj. Pagesa e pagave në sektorin e shëndetësisë bëhet përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, thonë nga Ministria e Financave.

Nga Fondi Shëndetësor thonë se nga Klinika e Endokrinologjisë më datë 7 të muajit prill kanë pranuar kërkesë për vazhdimin, ndërsa më datë 29 po të njëjtit muaj kanë dhënë mendim pozitiv deri tek Ministria e Financave.

“Përmes Ministrisë së Shëndetësisë nga Klinika e Endokrinologjisë kemi pranuar kërkesë për vazhdimin e kontratave më 07.04.2025 kemi dhënë mendim pozitiv më 29.04 dhe e kemi dorëzuar në Ministrinë e Financave. Ministria e Financave e kthen pozitiv me 30.06 dhe neve po atë ditë e kemi dorëzuar përsëri në Ministrinë e Shëndetësisë”, thonë nga Fondi Shëndetësor.

Sipas ankesave që kanë arritur në redaksinë e TV ALSAT, bëhet fjalë për të punësuar që kanë më shumë se katër vite përvojë pune në Klinikë./Alsat.mk

Trending