19-vjeçari Albion Musliu, i njohur me nofkën “Xhaka”, një nga talentët më premtues të Akademisë së Shkëndijës, nesër pritet të realizojë ëndrrën e tij më të madhe duke u bërë pjesë e një skuadre me emër të spikatur.
Mesfushori kuqezi po kalon një sezon fantastik me Shkëndijën U19, ku me paraqitjet e tij ka tërhequr vëmendjen e shumë skautëve si nga Maqedonia e Veriut ashtu edhe nga jashtë vendit, ndërsa emrat e klubeve mbeten ende anonimë.
Albion Musliu konsiderohet si një nga lojtarët më cilësorë të gjeneratës së tij në Superligën e të rinjve. Kapiteni i Shkëndijës U19 ka treguar lidership, kreativitet dhe inteligjencë të lartë në lojë, duke qenë një faktor kyç në sukseset e skuadrës kuqezi këtë sezon.
Xhaka luan si mesfushor qendror dhe ofensiv, ndërsa dallohet për teknikën e lartë, kontrollin fantastik të topit dhe vizionin e shkëlqyer në fushë. Ai ka realizuar 15 gola dhe shumë asistime këtë sezon, statistika që dëshmojnë potencialin e madh të tij.
Karrierën e nisi që në moshë të vogël në akademinë e Shkëndijës, ku gradualisht u zhvillua në një nga futbollistët më premtues të klubit tetovar.
Pas përfundimit të sezonit me paraqitje mbresëlënëse, Albion Musliu ndodhet para një momenti shumë të rëndësishëm në karrierën e tij. Mbetet të shihet nëse talenti kuqezi do ta vazhdojë karrierën në vendlindje apo do të transferohet jashtë shtetit për një aventurë të re në futbollin profesionist.
Në videon e realizuar nga Sporti Sot shihet qartë potenciali dhe cilësitë që posedon Albion Musliu “Xhaka”, një futbollist modern me tipare profesionale dhe të ardhme premtuese në futboll.










