Trendy

2.6 milionë euro për Spa-Qendrën Kosovrast

Para 2 orë

Të martën Banjat e Dibrës “Capa” promovuan edhe një investim të rëndësishëm në lokalitetin banjar Kosovrast. Në prani të kryetarit të Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, pronari i Banjave, Mexhit Capa, vuri në përdorim Spa Qendrën në Kosovrast, e cila ka një domethënie të madhe për zhvillimin e turizmit banjar, jo vetëm në Dibër, por edhe më gjerë. Ky investim pritet të rrisë numrin e mysafirëve nga vendi dhe nga shtetet e rajonit.

Investitori dhe pronari Mexhit Capa, në hapjen solemne ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve dhe personalitete lokale e qendrore, tha se vetëm për një vit Banjat e Dibrës “Capa” kanë investuar mbi 2,6 milionë euro. “Për këtë Spa Qendër në Kosovrast dhe për sanimin e objekteve hoteliere në lokalitetet banjare në Kosovrast dhe Banjisht janë investuar 2.6 milionë euro, nga të cilat 1.8 milionë janë mjete të siguruara me kredi, ndërsa pjesa tjetër janë mjete të kompanisë. Me këto investime presim rritje të zhvillimit të turizmit banjar dhe punësime të reja. Ne, si pronarë, do të vazhdojmë të investojmë edhe më tej, me qëllim që Banjat e Dibrës të kenë standardet më të larta në Evropë”, tha investitori Mexhit Capa, i cili pas privatizimit të banjave në vitin 2004 ka investuar disa miliona euro.

Spa Qendra në Kosovrast, e cila shfrytëzon ndër të tjera edhe ujin termomineral, ka një pozicionim dhe ndërtim specifik dhe lidh hotelin kryesor në këtë lokalitet me Akuaparkun me ujë termomineral, i cili konsiderohet ndër më të mëdhenjtë në Evropë. Ky objekt, si dhe lokaliteti në fjalë, gjendet në afërsi të lumit Radikë dhe Liqenit të Dibrës dhe ofron një ambient natyror shumë të bukur.

Në Komunën e Dibrës, turizmi banjar ka një rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik. Banjat e Dibrës “Capa” gjatë vitit 2025 realizuan mbi 87 mijë bujtje nga turistë vendas dhe të huaj dhe kanë punësuar mbi 280 punëtorë. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe kuadrit mjekësor. (koha.mk/V.S)

Trending