Trendy

20 huliganë “Vojvoda” rrahin dy nxënës në Tetovë – policia në vendngjarje

Para 5 muaj

Një incident i rëndë ka ndodhur sot pasdite në Tetovë, ku dy nxënës shqiptarë të Shkollës së Mesme Ekonomike janë sulmuar brutalisht nga një grup prej rreth 20 huliganësh të njohur me emrin “Vojvoda”. Lajmi është bërë i ditur nga portali tetovasot.com, duke iu referuar dëshmive të vetë nxënësve të sulmuar.

Sipas tyre, huliganët fillimisht i kanë sharë dhe fyer në gjuhën maqedonase, për të kaluar më pas në dhunë fizike. Dy të rinjtë janë rrahur barbarisht dhe nga goditjet e shumta që kanë marrë, nuk mbajnë mend plotësisht gjithë ngjarjen. Për shkak të lëndimeve, ata janë transportuar menjëherë në Spitalin Klinik të Tetovës, ku po marrin trajtim mjekësor.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe policia, e cila ka filluar hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e huliganëve të përfshirë në këtë sulm.

Ky incident ka shkaktuar shqetësim të madh tek qytetarët, duke ngritur pyetje serioze për sigurinë e nxënësve dhe nevojën e shtimit të masave parandaluese pranë shkollave dhe hapësirave publike të qytetit.

Trending