Trendy

25-vjeçari rrah, përdhunon dhe mban të mbyllur 22-vjeçaren që kishte ardhur nga Gjermania

Para 12 orë

Policia në Shkup ka arrestuar një 25-vjeçar me inicialet E.A., i dyshuar për sulm fizik, përdhunim dhe kërcënime ndaj një gruaje 22-vjeçare me të cilën ishte njohur më parë.

Sipas njoftimit të policisë, arrestimi është kryer më 5 mars 2026 rreth orës 16:55 në zonën e Gazi Babës në Shkup. Rasti ishte raportuar më herët nga viktima, e cila kishte ardhur nga Gjermania dhe kishte shkuar në shtëpinë e të dyshuarit.

Sipas kallëzimit, më 23 shkurt në banesën e tij, i dyshuari e ka sulmuar fizikisht 22-vjeçaren, ka kryer marrëdhënie seksuale me forcë dhe e ka kërcënuar vazhdimisht. Gjatë kohës që ajo qëndronte në shtëpinë e tij, ai nuk e kishte lejuar të dilte vetëm dhe i kishte marrë edhe telefonin celular.

Më 4 mars, e reja ka arritur të kontaktojë me telefon nënën e saj, e cila menjëherë ka alarmuar policinë. Pas kësaj, policia ka ndërhyrë në adresën e dhënë dhe, pas vlerësimit të rrezikut, ka ndërmarrë veprimet përkatëse.

Për rastin është njoftuar edhe prokurori publik dhe pas dokumentimit të plotë të ngjarjes pritet të ngrihet kallëzim penal ndaj të dyshuarit me procedurë të përshpejtuar.

Trending