Me kostot ditore që i afrohen 1 miliard shekelëve, zyrtarët izraelitë po përdorin jozyrtarisht kufijtë buxhetorë për të vlerësuar kohëzgjatjen e mundshme të luftës. Por synimet strategjike, ndikimi i SHBA-së dhe rezultatet e pasigurta e bëjnë të paqartë kohën e përfundimit të saj…
Askush nuk mund të thotë me siguri se kur dhe si do të përfundojë lufta me Iranin, por të gjithë e dinë se kush do ta ketë fjalën e fundit: Presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Ai duket se e shijon këtë fakt dhe argëtohet kur pyetet mbi afatet, pa dhënë asnjë detaj.
Kjo nuk do të thotë që zyrtarët izraelitë të mbrojtjes dhe anëtarët e kabinetit të sigurisë nuk e kanë një ide të përafërt mbi kohëzgjatjen e mundshme. Sigurisht, kjo varet nga arritjet në fushëbetejë.
Është e arsyeshme të supozohet se nëse Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara do të arrinin të merrnin nën kontroll 440 kilogramët e uraniumit të pasuruar, të fshehur ndoshta në thellësi të bazave bërthamore nëntokësore të Iranit, lufta do të përfundonte shumë shpejt.
Po ashtu, nëse turmat në Iran do të dilnin në rrugë në një përpjekje për të rrëzuar regjimin, edhe kjo mund të nxiste fundin e konfliktit. Megjithatë, këtu ekziston një kontradiktë e brendshme: për sa kohë vazhdon lufta, publiku iranian ka frikë të protestojë nëpër sheshe.
Kjo na mbetet ta analizojmë kohëzgjatjen e luftës përmes “lupës” së financave. Kjo është një luftë jashtëzakonisht e shtrenjtë, me municione në sasi astronomike dhe dhjetëra avionë luftarakë që fluturojnë drejt Iranit çdo ditë (200 vetëm në ditën e parë).
Gjithashtu, ka një prani pothuajse të vazhdueshme të dronëve mbi Iran dhe rreth 60 avionë amerikanë që shërbejnë si stacione karburanti në ajër. Shto këtu koston e raketave interceptore, rezervistëve dhe frontit ushtarak në Liban.
Marrë së bashku, Izraeli po shpenzon afërsisht 1 miliard shekelë (rreth 260 milionë dollarë) në ditë. Këto janë vetëm kostot e drejtpërdrejta të mbrojtjes, pa përfshirë shpenzimet civile apo humbjet në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).
19 ditët e para të luftës i kushtuan Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) 20 miliardë shekelë (5.2 miliardë dollarë), ndërsa shuma totale e buxhetuar për zhvillimin e luftës është 39 miliardë shekelë (10.1 miliardë dollarë). Nëse buxheti pasqyron kohëzgjatjen e parashikuar, i bie që lufta të zgjasë rreth 39 ditë, që do të thotë se ajo mund të përfundojë pas rreth 3 javësh. Ose, thënë thjeshtë, kur të mbarojnë paratë.
Kjo mund të ndodhë më herët ose më vonë, por përputhet me deklaratat e fundit. Nëse kanë mbetur vërtet edhe 3 javë, atëherë 32 miliardë shekelët (8.3 miliardë dollarë) financim shtesë që qeveria miratoi javën e kaluar, së bashku me 13 miliardë të tjera për kosto ushtarake dhe civile, mbeten sërish një nënvlerësim i kostove reale.
Kur nisi lufta, zyrtarët e IDF-së kërkuan që buxheti i mbrojtjes të rritej nga 112 miliardë në 177 miliardë shekelë. Ministria e Financave rezistoi, por u dorëzua para presionit të kryeministrit Benjamin Netanyahu, i cili vendosi rritjen në 144 miliardë shekelë (37.5 miliardë dollarë).
Shpenzim apo investim?
Mesazhi i ushtrisë është përqafuar edhe nga Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, i cili deklaroi: “Ky nuk është shpenzim. Është investim!”. Ushtria po e cilëson luftën si një mundësi historike për të ndryshuar Lindjen e Mesme.
Irani është dobësuar, Hezbollahu është nën presion dhe, nëse gjithçka shkon sipas planit, fushata do të mbylet me zmbrapsjen e kërcënimeve për shumë vite në vijim. Sipas kësaj logjike, ky është një “investim” sepse do të tërheqë investime të huaja, do të rrisë eksportet ushtarake dhe do të përmirësojë vlerësimin e kredisë së Izraelit.
Megjithatë, kjo retorikë ngjan me atë të sipërmarrësve të startup-eve që kërkojnë investitorë. Por këtu, “produkti” është mbrojtja. Nëse arrihen suksese që reduktojnë rreziqet, lind pyetja: pse duhet të mbajmë buxhete mbrojtjeje sa dyfishi i atyre para sulmit të 7 tetorit 2023?
Ose arritjet nuk janë aq të përhershme sa pretendohet, ose publikut do t’i duhet t’i thuhet e vërteta e hidhur mbi koston e sigurisë në të ardhmen./Pamfleti nga “Haaretz”










