Biletat për finalen e Champions League në Mynih Inter-PSG ishin praktikisht të pagjetshme, përveçse me çmime vërtet shumë të larta, dhe për këtë arsye dy TikToker kishin menduar mirë të futeshin fshehurazi në “Allianz Arena” falas, në mënyrën më të çuditshme të mundshme. Neal Remmerie dhe Senne Haverbeke janë të njohur mes të rinjve në botën e rrjeteve sociale dhe kanë hartuar një plan të çuditshëm për të ndjekur ndeshjen mes Interit dhe PSG-së pa paguar asnjë euro: kaluan 27 orë të fshehur në tualetet e stadiumit, duke filmuar çdo lëvizje të tyre – nga hyrja në impiant e deri te festimi për golat.
Të dy djemtë kanë treguar aventurën e tyre për VRT News, duke zbuluar në detaje si arritën të futeshin fshehurazi në ngjarjen sportive më të rëndësishme të Europës, finalen Inter-PSG. U desh shumë zgjuarsi dhe një dozë e mirë durimi për të qëndruar të fshehur dhe për të dalë në momentin e duhur, në kohë për të zënë vend në tribunë si të ishin tifozë normalë. Në të vërtetë, ata nuk kishin fare biletë për të hyrë dhe ishin futur në stadium madje një ditë përpara ndeshjes.
Të futur fshehurazi në finalen e Champions, plani absurd
Neal dhe Senne kishin studiuar një strategji të ndërlikuar dhe të çuditshme, por që funksionoi. Dy djemtë u futën në stadiumin e Mynihut një ditë para finales së Champions League Inter-PSG, thjesht duke veshur xhaketa të verdha sigurie, siç shihet nga videoja që ata postuan në profilin e tyre në rrjetet sociale. Më pas u pajisën me dy pankarta të bëra vetë që lajmëronin tifozët se tualetet ishin jashtë funksionit: i varën në dyert e shërbimeve higjienike dhe u fshehën aty për 27 orë, duke pritur momentin e duhur për të dalë jashtë.
Secili prej tyre u fsheh në një tualet dhe kishin gjithçka të nevojshme për të përballuar kohën: “Kishim një çantë shpine plot me ushqime dhe luanim me telefonat tanë për të vrarë kohën. Dritat ishin gjithmonë të ndezura dhe të rrish ulur ishte e pakëndshme, ndaj gjumi ishte pothuajse i pamundur. Kjo e bëri gjithçka të vështirë si fizikisht ashtu edhe mendërisht”. Pankartat rudimentare funksionuan dhe askush nga sigurimi nuk mendoi të kontrollonte nëse vërtet tualetet ishin jashtë funksionit apo kishin nevojë për mirëmbajtje, duke pasur parasysh ndeshjen e afërt.
Kur stadiumi nisi të mbushej me tifozë, ata lanë fshehtasinë e tyre dhe u përzien me spektatorët që po shkonin drejt tribunave. Më pas zgjodhën ku të uleshin, duke vëzhguar mirë ambientin përreth: “Kemi vëzhguar me kujdes se cila rojë sigurie i kushtonte më pak vëmendje. PSG fitoi 5-0 dhe ne ishim me tifozët parisienë. Ishte ndeshja më e bukur e futbollit që kishim parë ndonjëherë”. UEFA, e kontaktuar nga L’Équipe që ndoqi këtë rast të çuditshëm, ende nuk ka dhënë asnjë deklaratë në lidhje me ngjarjen.






