Trendy

2,8 miliardë euro të shpenzuara për lojëra fati brenda një viti në Maqedoni– kazinotë dhe bastoret me fitime rekord

Para 2 orë

Qytetarët e Mqedonisë së Veriut gjatë vitit të kaluar kanë shpenzuar rreth 2,8 miliardë euro në kazino, bastore sportive dhe klube me aparate, tregon analiza e emisionit “Biznes Objektiv”, përcjell tetova1

Kjo shumë përfaqëson një rrjedhje të madhe financiare drejt industrisë së lojërave të fatit dhe hap debat serioz për pasojat ekonomike dhe sociale.

Sipas analizës, bëhet fjalë për një shumë që krahasohet me një pjesë të konsiderueshme të buxhetit shtetëror, çka dëshmon për peshën e madhe që ka industria e lojërave të fatit në qarkullimin financiar në vend. Disa ekspertë paralajmërojnë se ky nivel shpenzimesh ndikon drejtpërdrejt në buxhetet familjare, rritjen e borxheve dhe varfërinë.

Kazinotë dhe bastoret në vitet e fundit kanë shënuar rritje të vazhdueshme, e nxitur nga qasja e lehtë, platformat online dhe marketingu agresiv. Por krahas rritjes së të ardhurave, po shtohen edhe problemet që lidhen me varësinë nga bixhozi, borxhet familjare dhe pasojat sociale.

Edhe pse industria siguron të ardhura përmes taksave dhe licencave, ekonomistët theksojnë se një pjesë e madhe e këtyre mjeteve zhvendoset nga konsumi produktiv drejt një sektori që nuk krijon vlerë të re në ekonominë reale.

Analiza ngre gjithashtu pyetje për nevojën e rregullave më të rrepta, kufizimin e numrit të objekteve, kontrollin e lojërave online dhe forcimin e programeve për parandalimin e varësisë.

Shuma prej 2,8 miliardë eurosh tregon qartë se industria e lojërave të fatit po bëhet një nga sektorët financiarë më të fuqishëm në vend – por njëkohësisht edhe ndër më të debatueshmit./tetova1.mk

Trending