Ka 300 vjet që bluan grurë e misër.
Edhe pas tre shekujsh, guri i tij këtij mulliri vazhdon të rrotullohet.
Gjendet në Zajaz, përreth rrugës magjistrale, ndërsa banorët e njohin si mulliri i Xhaferrit, që mendohet të ketë qenë pronari i parë.
“Sistemi vjetër i bluarjes është ky, ndërsa ky mulliri siç na tregojnë më të vjetrit është 300 vite i vjetër”, tha Fadil Ismaili.
Sistemi i bluarjes është me ujë, që kalon në mulli përmes këtij lugu.
“Ky sistem punon me ujë, uji ka lugun pas dhe i bie fletës së mullirit dhe lëviz edhe guri”, u shpreh Fadil Ismaili.
Dikur në këtë mulli është punuar ditë e natë që të mund të arrijnë në kohë bluarjen e misrit sepse ka qenë një nga ushqimet primare si për kafshët ashtu edhe për njerëzit. Një thes misër merr dy orë për t’u bluar.
“Edhe natën edhe ditën punohej atëherë edhe natën punohej që ti arrijmë ti shërbejmë njerëzit sepse e kërkonin shpejtë tua bëjmë”, potencoi Fadil Ismaili.
Xha Fadili ka 20 vjet që punon në këtë mulli dhe thotë se do të punojë derisa ta mbajnë këmbët.
Më pas, ka gjasa që mulliri tre shekullor të mbetet vetëm muze, sepse punë ka shumë pak dhe me të ardhurat që nxirren nga puna këtu nuk mund të jetohet.