Ramadan Imeri i bashkohet VLEN-it: Zgjedh një rrugë që përfaqëson të ardhmen
Dibër – Ramadan Imeri, nënkryetar i BDI-së në Dibër dhe drejtor i shkollës së mesme “28 Nëntori”, i është bashkuar koalicionit qeverisës VLEN. Lajmi u bë i ditur nga një postim i zv.kryeministrit dhe njërit nga liderët e këtij koalicioni, Izet Mexhiti.
“Mirë se erdhe Ramadan në rrugën që VLEN!”, shkruan Mexhiti, duke vlerësuar vendimin e Imerit si dëshmi që edhe figura me peshë zgjedhin atë që përfaqëson të ardhmen.
“Kur edhe drejtuesit e tyre zgjedhin ndryshimin, është e qartë kush përfaqëson të ardhmen”, shtoi ai.
Kalimi i Ramadan Imerit shihet si një lëvizje me rëndësi simbolike dhe politike, që tregon thellimin e përkrahjes për VLEN-in, i cili aktualisht është pjesë e pushtetit ekzekutiv në Maqedoninë e Veriut.
Në fotografinë e bashkëngjitur në postim, Mexhiti dhe Imeri shihen së bashku me përfaqësues të tjerë të lëvizjes, në një takim miqësor pranë liqenit, që simbolizon bashkimin dhe koordinimin e mëtejshëm politik.










