Trendy

37 protestues arrestohen, 42 policë të lënduar: Protestat masive shkaktojnë tensione në Beograd dhe Novi Sad

Para 6 muaj

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, pas përfundimit të protestave në disa qytete kryesore të Serbisë, tha se vetëm ditën enjten, autoritetet serbe kanë arrestuar 37 protestues.

Sipas tij gjatë protestave, ku përdorën, gurë, mjete piroteknike, e gjësende të tjera të forta, janë lënduar 42 policë.

Ai tha se në protestën në Beograd kishte rreth tre mijë pjesëmarrës dhe disa mijëra njerëz në të gjithë vendin.

“Nuk u përmend brutaliteti policor apo se policia shkaktoi ndonjë incident, policia duhej të përdorte mjete adekuate për të zmbrapsur sulmin ndaj policisë”, tha Daçiç.

Çfarë ndodhi?

Të enjten, për të dytën ditë me radhë, qytetarë të shumtë në numër në disa qytete kryesore të Serbisë kanë vazhduar protestat kundër pushtetit aktual.

Në disa qytetet protestuesit, siç raportuan mediat serbe, kanë bllokuar rrugët kryesore.

Si dje, edhe sot protestuesit janë mbledhur përpara zyrave të Partisë Progresive Serbe (SNS), e cila udhëheq me vendin. Pranë zyrave janë parë edhe mbështetës të SNS-së.

Në Novi Sad, sipas mediave serbe, janë hedhur gurë dhe gjësende të tjera në zyrat e SNS-së.

Një grup i vogël protestuesish, të maskuar, kanë thyer xhamat dhe kanë shkatërruar ambientet e SNS-së. Sipas raportimeve në këtë ndërtesë nuk kishte anëtarë nga kjo parti e as zyrtarë policorë për të parandaluar një gjë të tillë.

Tensione janë shënuar edhe në Beograd, ku në sheshe kryesore janë parë disa burra me shkopinj, të cilat, sipas mediave serbe, janë mbështetës të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Në kryeqytet policia ka ndërhyrë për të zmbrapsur qytetarët nga hapësira pranë zyrave të SNS-së në rrugën “Kneza Milosa”, pasi një grup protestuesish dhe përkrahësish të pushtetit kanë filluar të hedhin mjete piroteknike dhe bomba zhurmuese.

Trending