Trendy

40-vjeçari sulmon policët me thikë, njëri pëson plagë të rënda, kërkohet paraburgim

Para 53 minuta

Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur procedurë hetimore dhe ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një 40-vjeçari nga Kratova, i dyshuar për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave të sigurisë”.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 11 shtator, kur i dyshuari ka sulmuar zyrtarë policorë gjatë kryerjes së detyrave të tyre për parandalimin e një vepre penale.

Dy policë kanë përdorur forcë për të hapur derën e mbyllur të dhomës ku ndodhej i dyshuari. Në atë moment, ai i ka sulmuar ata.

Gjatë sulmit, njërit prej policëve i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore me thikë, përfshirë një plagë shpuese dhe një prerje.

Për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë që i dyshuari ta përsërisë veprën penale, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit.

Trending