Një grua 40-vjeçare nga Radovishi, me qëndrim në Shkup, është arrestuar pasi ka dërguar një njoftim të rremë për bombë në një shkollë fillore në Radovish.
Më 6 nëntor 2025, Departamenti për Luftë kundër Krimit të Organizuar dhe të Rëndë – Njësia për Hetime të Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit, në bashkëpunim me Sektorin për Krim Kibernetik, kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër personit me iniciale V.J. (40), për veprën penale “lajmërim i rremë për vepër penale” sipas nenit 366 të Kodit Penal, njofton TV21
Sipas të dhënave të policisë, më 29 tetor 2025, rreth orës 06:41 të mëngjesit, e dyshuara, përmes një adrese e-mail të krijuar paraprakisht dhe duke përdorur telefonin e saj celular, ka dërguar një mesazh kërcënues në adresën zyrtare të shkollës, ku ndër të tjera thuhej se ishte vendosur një bombë në objektin shkollor.
Pas marrjes së njoftimit, janë ndërmarrë menjëherë masa sigurie dhe është kryer kontroll antiterrorist në shkollë, ku nuk janë gjetur mjete shpërthyese.
Hetimet për origjinën e IP adresave dhe provat digjitale kanë çuar në identifikimin e autores, e cila tashmë është ndaluar dhe ndaj saj është ngritur kallëzim penal.










