Shoqata “Paqe, Harmoni, Stabilitet”, e cila ishte organizatore e tubimit në mbështetje të presidentit serb Aleksandar Vuçiç të mbajtur në Kumanovë, ka përfituar mjete financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë. Sipas të dhënave të publikuara, shuma prej 400 mijë dinarësh është ndarë në kuadër të një konkursi të Drejtorisë për Bashkëpunim me Diasporën dhe Serbët në Rajon, që synon bashkëfinancimin e projekteve të organizatave serbe jashtë vendit, shkruan Nova Ekonomija, tranmeton gazeta KOHA.
Në dokumentet e disponueshme thuhet se shoqata ka aplikuar me projektin me titull “Ortodoksia dhe spiritualiteti na lidhin – Nën mbulesën e lutjes”, për të cilin edhe është miratuar financimi. Po sipas të njëjtave të dhëna, fondet janë ndarë gjatë muajit prill të këtij viti, në kuadër të thirrjes publike për mbështetje të organizatave të serbëve nga rajoni.
Ngjarja në Kumanovë, e cila u zhvillua në të njëjtën ditë me protestën studentore në Beograd, tërhoqi vëmendje në opinionin publik për shkak të përmasave të saj dhe mesazheve politike që u përcollën. Në tubim u panë pankarta me mbishkrime në mbështetje të presidentit Vuçiç, si dhe flamuj të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë, mbetet e paqartë lidhja direkte mes financimit të ndarë nga institucionet serbe dhe organizimit të tubimit, ndërsa rasti ka ngjallur reagime dhe interpretime të ndryshme në skenën politike dhe mediatike në rajon. Koha










