Trendy

41 me 0! Shqiptarët vetëm “roje pylli” në shtetin e tyre (Tabela)

Para 2 javë

Ndërmarrja shtetërore për menaxhimin e pyjeve në pronësi shtetërore – “Pyjet e Maqedonisë”, është shndërruar de facto në një institucion njëetnik, duke përjashtuar plotësisht shqiptarët nga çdo nivel drejtues. Në një zhvillim të paprecedent në historinë e kësaj ndërmarrjeje publike, shqiptarët sot nuk përfaqësohen as në udhëheqjen qendrore, as në 11 Sektorë dhe as në 30 Njësitë rajonale, ndërsa u mbetet vetëm roli i “rojës së pyllit”, shkruan gazeta KOHA.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në faqen e ndërmarrjes, drejtori i përgjithshëm, Zdravko Trajanov, dhe zëvendësdrejtori, Kiril Mihailov, janë të dy maqedonas. Për herë të parë deri më sot, asnjëri nga dy postet më të larta nuk i takon komunitetit shqiptar. Deri në vitin 2024 kishte një parim të pashkruar, por të respektuar, që një nga këto dy pozita të mbulohej nga shqiptarët – parim që tashmë është shkelur hapur.

Diskriminimi nuk ndalet në krye të ndërmarrjes. Të gjithë 11 sektorët qendrorë në Shkup udhëhiqen nga maqedonas, pa asnjë shqiptar në pozita drejtuese. Madje, sipas të njëjtave të dhëna, një person i vetëm – Vladimir Biboski, drejton dy sektorë paralelisht: Sektorin e Pyjeve dhe Sektorin për Menaxhimin e Tokës Pyjore, çka ngre edhe dyshime për kapacitet profesional dhe përqendrim pushteti brenda institucionit. Situata bëhet edhe më alarmante në terren. Asnjë nga 30 njësitë rajonale të “Pyjeve e Maqedonisë” nuk udhëhiqet nga shqiptarë. As në Dibër, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë apo Kumanovë – qytete ku shqiptarët janë shumicë dhe ku jetesa është drejtpërdrejt e lidhur me pyjet, nuk është emëruar asnjë drejtues shqiptar. Ky realitet jo vetëm që përbën diskriminim etnik të hapur, por shkel edhe parimet e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, të garantuara me Kushtetutë dhe me Marrëveshjen e Ohrit.

Ironia kulmon me faktin se faqja zyrtare e ndërmarrjes “Pyjet e Maqedonisë” nuk përmban asnjë shkronjë në gjuhën shqipe. Të gjitha dokumentet, njoftimet dhe informacionet janë vetëm në maqedonisht, ndërsa pjesërisht edhe në anglisht, por jo në gjuhën e njërit prej komuniteteve shtetformues dhe që është gjuhë e dytë zyrtare në vend.

Ky fakt, sipas njohësve të politikave juridike në vend, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, por edhe një mesazh të qartë politik: shqiptarët nuk konsiderohen as si faktor institucional, as si publik i rëndësishëm, shkruan KOHA. “Pyetjet që duhet parashtruar janë se, si është e mundur që në një ndërmarrje publike shtetërore të mos ketë asnjë shqiptar në pozita drejtuese? Ku janë institucionet përgjegjëse për zbatimin e përfaqësimit të drejtë? A po kthehen ndërmarrjet publike në bastione njëetnike? Ky rast nuk është thjesht çështje e ‘Pyjeve të Maqedonisë’, por alarm serioz për regres institucional dhe diskriminim sistematik ndaj shqiptarëve në sektorin publik”, thonë për KOHA ekspertë juridik të vendit. /koha.mk

Trending