American Airlines ka lëshuar një alarm udhëtimi për 46 aeroporte për shkak të një stuhie dimri që pritet të përfshijë mes-perëndimin e SHBA-së dhe bregun lindor.
Alarmi përfshin aeroportet në disa shtete, duke filluar nga Kansas dhe Missouri, deri në Pennsylvania dhe New Jersey, transmeton klankosova.tv.
Linja ajrore ka publikuar një listë të plotë me kushtet për ndryshimet e biletave.
Sipas BBC, American Airlines ka bërë të ditur se mund të heqë tarifat e ndryshimit të biletave për pasagjerët që udhëtojnë nga dhe drejt këtyre aeroporteve, për shkak të ndërprerjeve të mundshme të fluturimeve.
Gjithashtu, Delta, Southwest dhe United Airlines kanë ofruar shërbime të ngjashme për klientët e tyre.
SHBA po përgatitet për një stuhi dimri të ashpër, e cila mund të sjellë reshjet më të mëdha të borës dhe temperaturat më të ulëta që nga viti 2011. Rreth 30 shtete janë vendosur nën alarme moti.
Një gjendje emergjence është shpallur në Kentucky, Virginia, Kansas, Arkansas dhe Missouri.
Gjendja në rrugë tashmë është përkeqësuar. Moti i keq ka shkaktuar aksidente mes kamionëve dhe makinave, si dhe përmbysjen e një kamioni zjarrfikës në Kansas, sipas oficerit të patrullës së autostradës, Ben Gardner.
Edhe pjesët e SHBA-së që nuk janë mësuar me të ftohtët ekstrem, si Mississippi dhe Florida, janë paralajmëruar për kushte të rrezikshme.
Sipas parashikuesve të motit, ndërsa stuhia lëviz drejt lindjes, miliona amerikanë të tjerë do të përballen me temperatura rekordisht të ulëta.