Trendy

49-vjeçari nga Manastiri mbytet në Liqenin e Ohrit – Shkon në 4 numri i të mbyturve këtë verë

Para 5 muaj

Liqeni i Ohrit mori edhe një viktimë këtë verë, këtë herë në Strugë, kur dy ditë më parë, në ujërat e liqenit u gjet i vdekur një 49-vjeçar nga Manastiri me inicialet I.T. Trupi u vu re nga të pranishmit në plazh.

Nga MPB për Alsat njoftojnë se mjeku ka konstatuar vdekje si pasojë e mbytjes në ujë. Është kryer ekspertizë nga ekipi hetimor i Sektorit të Punëve të Brendshme në Strugë, ndërsa me urdhër të Prokurorit Publik, pas kryerjes së autopsisë, trupi iu dorëzua familjes. Por ky nuk është rasti i parë i tillë.

“Prej 1.1.2025 deri më 29.8.2025 në SPB Ohër janë raportuar katër raste të mbytjes në Liqenin e Ohrit”, thonë nga MPB.

Lidhur me rastin e fundit, nga Prokuroria Themelore Publike na u përgjigjën se ende nuk e kanë pranuar rezultatin e autopsisë.

“Prokuroria Themelore Publike Strugë ka lëshuar urdhër për autopsi. Rezultati nga autopsia e kryer ende nuk është dorëzuar në prokurori”, thonë nga Prokuroria

Siguria në bregun e liqenit të Ohrit dhe Strugës edhe këtë verë ishte problem kryesor. Vetëm në 1 nga 15 plazhe në Strugë kishte shpëtimtar, ndërsa në Ohër nga 38 plazhe vetëm në 11, që do të thotë se vetëm 10% e bregut të liqenit është e sigurt për sport dhe rekreacion.

Shpëtimtarët kanë shumë punë. Ata kryen 30 intervenime për nxjerrjen e të mbyturve dhe mbi 1400 intervenime për dhënien e ndihmës së parë. Nga Kryqi i Kuq thonë se në plazhet ku kishte shërbime shpëtimi nuk pati raste fatale.

Megjithatë, edhe këtë sezon turistik u përsërit e situata e viteve të kaluara, pra një pjesë e atyre që menaxhojnë plazhet nuk i respektojnë detyrimet ligjore, ndërsa asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ndërmerr masa për t’i sanksionuar, ndonëse kjo ndodh para syve të të gjitha institucioneve dhe shërbimeve inspektuese./ Alsat.mk

Trending