Trendy

Pse Baton Haxhiu gabon në premisat e opinionit të tij për VLEN

Para 2 muaj

Shkruan: Agron Shaqiri

Politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në një fazë transformimi ku elektorati nuk pranon më thjeshtë narrative nostalgjike ose retorikë të lartë. Shqiptarët kërkojnë përfaqësim të qartë, ide konkrete dhe rezultate të matshme. Në këtë kontekst, çdo analizë politike që nuk merr parasysh realitetin e ri, por insiston në trillime ose përshkrime të bazuara në supozime, është e destinuar të gabojë. Baton Haxhiu, me opinionin e tij për VLEN-in, bie pikërisht në këtë gabim.

Ja PSE:

Kur Haxhiu thotë se “zgjedhjet e fundit nuk i fitoi një koalicion… i fitoi një revoltë”, ai bazohet në premisa të pasakta. Revolta nuk fiton zgjedhje, nuk organizon komisione, nuk nxjerr deputetë. Fituesi është gjithmonë një subjekt politik me strukturë, strategji dhe aftësi mobilizuese. Dhe pikërisht VLEN-i e kanalizoi pakënaqësinë në rezultat real, duke e transformuar revoltën në projekt politik funksional.
Haxhiu vazhdon me pohimin se qytetarët e kanë zgjedhur VLEN-in “jo si projekt… por si mjet”. Ky është një thjeshtëzim që nuk qëndron përballë praktikës politike. Çdo instrument që arrin të fitojë mandate është, në fakt, një projekt funksional. VLEN-i nuk ishte “mjet i rastësishëm”, por strukturë e qëndrueshme dhe e orientuar drejt rezultatit.
Analiza për brendësinë e koalicionit, ku Haxhiu thotë se ekziston “tension midis Izet Mexhitit dhe Bilall Kasamit”, është gjithashtu e tejkaluar. Diferencat e stilit të lidershipit nuk janë dobësi, por energji politike që krijon balancë dhe kontroll brenda koalicionit.

Mexhiti “përpiqet të ndërtojë me durim projektin” – dhe kjo është pikërisht mënyra se si një koalicion i vërtetë funksionon.
Më tej, Haxhiu e paraqet Bilall Kasamin si “më i dobëti në diskurs, më i paqarti në drejtim, më i varuri nga rrethana”. E vërteta është krejt e kundërta. Kasami është një lider që i ka dhënë VLEN-it vizion, energji dhe strukturë organizative. Ai ka aftësinë të bashkojë grupime të ndryshme, të kanalizojë vota dhe të ndërtojë besim tek qytetarët. Në fakt, ai ka treguar se mund të qeverisë situata komplekse dhe të ndërmarrë vendime të guximshme, duke e bërë VLEN-in koalicion të fortë dhe funksional.

Më tej, Haxhiu shpif kur pretendon se Kasami “kontrollohet nga një organizatë joqeveritare”. Nuk ka asnjë provë. Kjo është trillim për konsum mediatik. Në politikën reale, Kasami ka treguar pavarësi, strategji dhe aftësi për të ruajtur ekuilibrin brenda koalicionit.
Kulmi i gabimit është krahasimi me Menduh Thaçin: “askush nuk ka qenë më koherent dhe më i drejtpërdrejtë… sesa Menduh Thaçi”. Diskursi i qartë nuk përkthehet automatikisht në pushtet. Kasami, nga ana tjetër, ka treguar se fjala e tij ka forcë konkrete: bashkon, koordinon dhe ndërton strukturë, aftësi që bëjnë diferencën mes retorikës dhe politikës reale.

Kritika se VLEN “nuk flet” dhe se kjo “do të ketë çmim politik” është naive. Heshtja strategjike nuk është frikë, është maturi institucionale. Dhe qytetarët e shpërblyen këtë qasje duke i dhënë mandat.
Vetë Haxhiu pranon se “qytetarët shqiptarë kërkojnë qartësi, ide dhe përfaqësim të besueshëm”. Pikërisht këtë e ka ofruar VLEN-i. Koalicioni nuk është revoltë spontane, nuk është strehë krize, nuk është mjet rastësor. Është projekt politik i konsoliduar, i aftë të ndërtojë një epokë të re politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Baton Haxhiu bie në gabim që në premisat e tij. Ai lexon VLEN-in përmes nostalgjisë dhe trillimeve, jo përmes realitetit. Ndërsa analistët humbasin mes retorikës, Kasami dhe VLEN-i po e shkruajnë realitetin politik shqiptar me rezultate dhe vizion të qartë.

Trending