Hajredin Imerovski, pronar i një kompanie që operon në fushën e instalimeve elektrike në Shkup. Në një intervistë për TVA News, ai tregon se është mashtruar nga dy persona që i morën 55 mijë euro, me premtimin për një projekt ndërtimi në Tiranë.
Sipas tij, bëhet fjalë për Vahide Saliun nga Shkupi dhe Enea Ajasllarin nga Tirana, përfaqësues të kompanisë “Dinoa Business Consulting SHPK”. Ata i kërkuan Imerovskit që të transferonte shumën e lartpërmendur në një llogari bankare në Shqipëri, si garanci për instalimin e lidhjeve elektrike në një fabrikë armësh që supozohej të ndërtohej në Tiranë.
“Pasi ua dërgova paratë, kuptova se ndërtesa nuk ekzistonte fare. Ishte një mashtrim i pastër”, shprehet Imerovski.
Ai thekson se ka bërë denoncim në Polici, por deri më tani autoritetet nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret. Rasti ka shkuar edhe në gjykatë, por pa rezultat.
Përmes kësaj dalje publike, biznesmeni kërkon nga drejtësia shqiptare dhe maqedonase të veprojnë dhe të bëjnë të mundur kthimin e shumës së humbur, duke e cilësuar rastin si një padrejtësi të rëndë.










