Qeveria turke po u bën thirrje qytetarëve që të heqin dorë nga tradita e mbajtjes së arit në shtëpi, duke e cilësuar këtë zakon si një pengesë të madhe për ekonominë e vendit. Sipas ministrisë turke të Financave, familjet në Turqi mbajnë aktualisht rreth 5 mijë tonë ar jashtë sistemit bankar, me vlerë rreth 600 miliardë dollarë. Ministri i Financave, Mehmet Şimşek, ka deklaruar se vlera totale e arit dhe valutës së huaj të mbajtur jashtë sistemit financiar arrin deri në 640 miliardë dollarë, raporton NPR.
Në Turqi, ari nuk është thjesht stoli. Ai dhurohet në momente të rëndësishme të jetës dhe ruhet me kujdes në shtëpi, si një mbrojtje ndaj zhvlerësimit të shpeshtë të monedhës vendase, lirës, dhe paqëndrueshmërisë ekonomike. Zakoni njihet lokalisht si “yastık altı”, që do të thotë “nën jastëk”, dhe historikisht ka shërbyer edhe si një formë sigurie financiare për gratë amvise. Nëse diçka shkonte keq, ari i dhuruar në dasmë mbetej një kursim i sigurt për të ardhmen. Ekonomistja Selva Demiralp, nga Universiteti Koç i Stambollit dhe ish-ekonomiste e Bankës Qendrore të Turqisë, thotë se ky zakon nuk duhet parë si diçka e vjetruar apo irracionale.
Përkundrazi, sipas saj, ai është një përgjigje logjike ndaj një historie të gjatë me inflacion të lartë e të paparashikueshëm, disa kriza bankare dhe një ndjesi të përgjithshme se lira nuk e ruan vlerën në të njëjtën mënyrë si ari. Por kjo pasuri e mbajtur jashtë sistemit financiar, sado e kuptueshme të jetë arsyeja, i sjell pasoja ekonomisë në tërësi.
Kur miliarda dollarë në ar mbahen të mbyllura në shtëpi, ato nuk qarkullojnë në ekonomi: nuk depozitohen në banka dhe nuk përdoren për investime apo zgjerimin e bizneseve. Në të njëjtën kohë, autoritetet e kanë më të vështirë të hartojnë politika efektive për kontrollin e çmimeve dhe të krijojnë kushte më të favorshme për tërheqjen e investimeve të huaja. Kapitali thjesht mbetet “i parkuar”, pa kontribuar në aktivitetin ekonomik. Arsyeja pse njerëzit vazhdojnë të zgjedhin arin në vend të bankave, sipas Demiralp, lidhet drejtpërdrejt me një humbje të thellë të besimit.
Në një hulumtim të saj, katër në dhjetë të anketuar thanë se besimi i tyre te bankat komerciale ishte pranë zeros, ndërsa besimi te agjencia zyrtare e statistikave rezultoi edhe më i ulët. Sipas saj, kjo lidhet me traumat ekonomike të së kaluarës, inflacionin kronik dhe një mungesë më të gjerë besimi ndaj institucioneve.
Kur çmimet e produkteve të përditshme rriten më shpejt nga sa tregojnë shifrat zyrtare, njerëzit humbin besimin te të dhënat e qeverisë. Në këto rrethana, mbajtja e parave në bankë mund të perceptohet si një humbje e sigurt në krahasim me ruajtjen e arit fizik. Presidenti Recep Tayyip Erdoğan u është drejtuar prej vitesh qytetarëve që ta nxjerrin arin nga shtëpitë e tyre, duke ndërmarrë programe të ndryshme stimuluese dhe duke krijuar skema bankare për ta kthyer arin fizik në depozita.
Megjithatë, këto përpjekje kanë pasur sukses të kufizuar. Kritikët ia atribuojnë këtë edhe politikave ekonomike të Erdoğan-it dhe kontrollit të tij të fortë mbi institucionet financiare, përfshirë shkarkimin e gjashtë guvernatorëve të Bankës Qendrore brenda shtatë vjetësh, çka, sipas tyre, ka thelluar edhe më shumë skepticizmin e publikut.
“Ari nuk po del ende nga nën jastëkët e tyre”, thotë Mehmet Yıldırımtürk, i cili prej më shumë se 50 vjetësh punon si këmbimtar valutor dhe tregtar ari në Pazarin e Madh të Stambollit. Sipas tij, qeveria ende nuk ka arritur t’u japë qytetarëve besimin e nevojshëm për ta bërë këtë hap.











