Në një ditë të rëndësishme për demokracinë, Bilall Kasami, kryetari i Lëvizjes Besa, ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës. Pas votimit, z. Kasami bëri një deklaratë ku shprehu optimizmin dhe shpresën për të ardhmen.
“Sot, si të gjithë shqiptarët që e duan ndryshimin, shpreha të drejtën e votës. Ndryshimi që VLEN po vjen,” tha z. Kasami. “Andaj ju ftojë të gjithëve që të dilni e të votoni, që të jeni pjesë e ndryshimit që të gjithë e presim me padurim.”
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Lëvizja Besa, së bashku me partitë e tjera opozitare, ka formuar koalicionin “VLEN”. Koalicioni synon të sjellë një frymë të re në politikën e Maqedonisë së Veriut dhe të përmirësojë jetën e qytetarëve përmes reformave dhe politikave të reja.
Z. Kasami dhe liderët e tjerë të koalicionit kanë ftuar partitë e tjera politike, organizatat joqeveritare dhe individët që ndajnë të njëjtat vlera për të bashkuar forcat në këtë “karvan fitues”, me qëllim sjelljen e ndryshimit të shumëpritur.