Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan dhe kryeministri Edi Rama kanë zhvilluar një bisedë telefonike ku në fokus kanë qenë marrëdhëniet dypalëshe si dhe çështjet rajonale dhe globale.
“Anadolu” raporton se zyra e komunikimit e Turqisë ka njoftuar se Erdogan ka thënë se marrëdhënia mes Turqisë dhe Shqipërisë është në një nivel të avancuar dhe se bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes do të forcohet më tej përmes kontakteve tregtare, ekonomike dhe ushtarake.
“Udhëheqësi turk iu referua përpjekjeve të FETO-s për të fituar një terren në Shqipëri, duke shprehur besimin se shteti ballkanik do të vazhdojë të punojë drejt eliminimit të strukturës së grupit në sektorët e tij arsimor, shëndetësor dhe fetar”, shkruan “Anadolu”.
“FETO dhe lideri i saj, Fethullah Gulen, orkestruan grushtin e shtetit të dështuar të 15 Korrikut 2016 në Tuqi, në të cilin 252 persona humbën jetën dhe 2.734 të tjerë u plagosën”, vijon artikulli.
FETO-ja gjithashtu akuzohet se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.