Ndikimi i mërgimtarëve dibran të cilët jetojnë në SHBA dhe disa shtete të Evropës, përveç në sferat e tjera ndjehet edhe në sport. Të rinjtë të ardhur nga diaspora e sidomos nga Amerika, viteve të fundit shpesh dëfrehen duke luajtur edhe siç i thonë në SHBA, basketin e rrugës. Duke konstatuar këtë interesim komuna Dibër në kuadër të manifestimit “Vera Dibër 2024”, ka vendosur që të mbahet edhe një turne në këtë sport të emërtuar “Streetbal 2024”. Ky aktivitet sportiv ngjalli interesim të madh tek të rinjtë e Dibrës, kurse në pjesën më të madhe mes ekipeve në këtë lloj të basketbollit ishin shumë të rinj dhe të reja që kanë ardhur nga mërgimi e që pushojnë në vendlindjen e të parëve të tyre, me që pjesa më e madhe e tyre ka lindë dhe jeton në SHBA dhe shtetet të BE-së.
Në terrenet për sporte në Dibër, morën pjesë dhjetë ekipe dhe mbrëmë u luajtën edhe ndeshjet finale. Vendin e parë e fitoi ekipi i “Sortie BB” i cili mundi pa probleme ekipin !Ice Furu” i cili fitoi vendin e dytë. Ekipi “Tvins” ishte i tretë. Organizatorët e këtij eventi sportiv Komuna Dibër ne bashkëpunim me udheqësinë të klubit të basketbollit dibran “Dibra Eagles”, vlerësuan se turneu ka qenë shumë i suksesshëm, dhe se faktikisht dibranët e ri kanë patur mundësi të ndjekin mënyrën e basketbollit të rrugës, i cili sidomos në Amerikë ka një popullaritet të madh. Kryetari i Këshillit të komunës Dibër Fuat Spahiu dhe koordinatori i aktiviteteve Maliq Disha, deklaruan se të rinjtë dibran dhe të rinjtë nga diaspora u ndoqën me shumë sukses nga publiku, i cili duartrokiti të gjithë ndeshjet. Të theksojmë se një ndeshje jashtë konkurrence patën edhe dy ekipe të femrave poashtu në Stretbal.
Para disa ditëve në kuadër të aktiviteteve verore u mbajt edhe turneu në futboll të vogël dhe organizatorët paralajmërojnë edhe aktivitete te tjera. Dibra këto ditë është përplot me mërgimtarë, prandaj edhe aktivitetet sportive dhe kulturore janë të mirëpritur nga të gjithë. (koha.mk)