Papa Françesku shtoi kritikat e tij ndaj fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë, duke e quajtur situatën humanitare në enklavën palestineze si “shumë serioze dhe të turpshme”.
Në adresimin vjetor para diplomatëve, që në emër të Papës e mbajti një nga këshilltarët, Françesku iu referohej vdekjeve të shkaktuara nga i ftohti në Gazë.
“Ne nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë bombardimin e civilëve. Ne nuk mund të pranojmë që fëmijët të ngrijnë për vdekje sepse spitalet janë shkatërruar apo se është sulmuar rrjeti energjetik i vendit”.
Papa pritej që personalisht të mbante fjalimin, por i kërkoi një këshilltari të tij që ta bënte në emër të tij, pasi Ati i Shenjtë është duke u rikuperuar nga një ftohje.