Papunësia në Gjermani ka arritur këtë muaj nivelin rekord në dhjetë vitet e fundit. Në Janar 2025 në Gjermani ka pasur të papunë gati tre milionë njerëz, më saktësisht 2.993.000, persona të regjistruar, që është 186.000 më shumë se në dhjetor të vitit 2024.
Enti i Statistikave kumtoi se papunësia në Gjermani ka arritur tani nivelin prej 6,4%, që është 0,4 më shumë se një muaj më parë dhe është niveli më i lart i papunësisë në dhjetë vjetët e fundit.
Rritja e papunësisë në janar është e zakonshme, për shkak të shumë sektorëve që në dimër punojnë më pak, por kriza ekonomike në vend ka lënë gjurmë të thella dhe tani kompanitë po përballen me probleme serioze, ndër tjerash edhe me largimin e punëtorëve apo mosangazhimin e punëtorëve të tjerë.
E është rritur edhe numri i falimentimeve të kompanive në Gjermani. Herën e fundit papunësia më e lartë se tani në Gjermani ka qenë në shkurt të vitit 2015, kur ka pasur 3.017.000 të papunë.